Trajkoviq, letër Vuçiqit - shpreson se "s’do t’i vizatohet plumbi në ballë" sikurse Ivanoviqit

Lajme

Trajkoviq, letër Vuçiqit - shpreson se "s’do t’i vizatohet plumbi në ballë" sikurse Ivanoviqit

Më: 30 korrik 2018 Në ora: 23:12
Momçillo Trajkoviq dhe Aleksandar Vuçiq

Presidenti i Forumit Nacional Serb (SNF) dhe ish-zëvendëskryeministri i Qeverisë së Serbisë, Momçillo Trajkoviq, përmes një letre të hapur, ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk ka përmbushur “asgjë” nga ato që, pas vrasjes së politikanit serb në Kosovë, Oliver Ivanoviq, kishte premtuar në një takim me delegacionin e SNF-së.

“Keni premtuar se do të ngrini çdo gurë për të hetuar vrasjen e Ivanoviqit, se si do t’i gjente vrasësit dhe urdhërdhënësit, e as pas 200 ditësh, Ju s’keni asnjë fjalë për këtë rast”, thotë Trajkoviqi.

Siç transmeton portali serb i Kosovës, “Kossev”, Trajkoviq ka thënë të kenë biseduar edhe për një videoklip parazgjedhor ku Ivanoviqi akuzohet për tradhti, e me të cilën i është vizatuar “plumbi në ballë”.

“Nëse s’jeni në gjendje të gjeni vrasësin e Oliverit, jam i sigurt se për një ditë do të mund të tregonit se kush janë krijuesit dhe autorët e asaj videoje të ndyrë”, thekson më tej Trajkoviqi në letrën drejtuar Vuçiqit.

Ai shton se në takim ka pasur fjalë edhe për frikën që ka ndjerë populli serb pas vrasjes së Ivanoviqit dhe citon fjalët e Vuçiqit se “atë farë Radoiçiqi, të cilin tash po e përmendin disa, asnjëherë në jetë nuk e ka parë dhe nuk e di se kush është ai”.

“Nuk kanë shkuar as tre muaj pas takimit tonë, dhe ai njeri është emëruar nënkryetar i Listës Serbe”, kujton Trajkoviqi.

Ai i ankohet Vuçiqit edhe se nuk e ka përmbushur premtimin se, bashkë me shefin e Zyrës për Kosovën në qeverinë serbe, Marko Gjuriq, do të merrnin pjesë në tryezat e rrumbullakëta me serbët e Kosovës.

“Thoni edhe se të gjithë serbët e dinë se Kosova është e humbur, ndërsa ne që jetojmë këtu edhe më tutje deklarojmë se nuk është, as për ne e as për Serbinë”, ka porositur Vuçiqin Trajkoviqi.

“Në Kosovë jemi rreth 120.000, me mijëra hektarë tokë dhe me dhjetëra mijëra tjerë të cilëve u janë uzurpuar pronat”, ka shkruar më tej Trajkoviqi dhe ka konstatuar se “shteti s’i shfrytëzon këto potenciale”:

Trajkoviq mendon se Vuçiqi, me politikën e tij dhe me deklaratat e tij defetiste, demoralizon popullin serb edhe ashtu të frikësuar dhe kështu “hap procesin e eksodit të fundit të serbëve të Kosovës e Metohisë, i pavetëdijshëm se nga Shumadia krijon Kosovën”.

Në fund të letrës së tij, Trajkoviq ka shfaqur shpresën se “nuk do të vizatohet plumbi në ballë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat