Dhurohet gjak për personat e lënduar në aksidente trafiku

Lajme

Dhurohet gjak për personat e lënduar në aksidente trafiku

Më: 18 nëntor 2016 Në ora: 11:55
Pamje nga aksioni i dhurimit të gjakut

Lindita Gashi ishte e para qytetare që iu përgjigj ftesës për dhurim të gjakut në nderim të viktimave dhe për personat e lënduar në aksidente të trafikut rrugorë.

Me këtë rast, ajo tha se duke parë numrin e madh të aksidenteve me persona të lënduar ka vendosur që të dhuroj gjak.

Gashi: Duke parë numrin e madh të aksidente kam vendosur të dhuroj gjak

“Duke parë numrin e madh të aksidenteve me persona të lënduar në aksidente rrugore, kam vendosur që të dhuroj gjak për viktimat, për personat e lënduar në trafik. Mendoj që është gjë e duhur, kjo nuk është hera e parë që kam dhuruar gjak dhe këtë e kam bërë me vullnet. Është shumë e rëndësishme sepse shumë njerëz kemi numër mjaft të lartë të aksidenteve me të lënduar në trafik, persona të lënduar kemi mjaftë”, tha Gashi.

Ndërsa nga qendra për transfuzion të gjakut, menaxheri për marketing dhe informim, Fadil Mahmuti, tha se në kuadër të aktivitetit të nderimit të viktimave të aksidenteve të trafikut, kanë organizuar këtë aksion për grumbullimin e gjakut nga dhuruesit vullnetarë. Po ashtu, ai tha se është e rëndësishme që qytetarët të dhurojnë gjak edhe për faktin se kërkesat në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës janë shumë të mëdha.

Mahmuti: Secila dozë e gjakut është e mirëseardhur

“Presim që sot ta kemi një numër të konsiderueshëm të atyre që dhurojnë gjak. Njëherësh shfrytëzoj rastin që të apelojë te qytetarët, të krejt njerëzit e vullnetit të mirë dhe ata që kanë shëndet të mirë që t’i bashkohen këtij aksioni kaq humanitarë. Duke u nisur nga fakti se kërkesat për gjak janë jashtëzakonisht të mëdha vetëm me i mbuluar nevojat e Qendrës Klinike Universitare brenda 24 orëve atëherë na nevojiten shpesh mbi 150 doza të gjakut. Secila dozë është e mirëseardhur” tha Mahmuti.

Në këtë aktivitet pjesëmarrës janë edhe Policia e Kosovës. Jeton Rexhepi tha se duke e parë nevojën e Qendrës për Transfuzion të Gjakut, kanë vendosur që ta bëjnë këtë aktivitet.

Rexhepi: Nevoja për gjak është shumë e madhe

“Në bashkëpunim me Kryqin e Kuq dhe me Qendrën e Transfuzionit të Gjakut kemi bërë gjithë parapërgatitjet, po ashtu, ne e kemi vlerësuar do të thotë bashkërisht informatën e plotë e kemi marrë nga ata që nevoja për gjak është në qendrën e tyre, ndërsa, kërkesat e tyre janë shumë të mëdha. Kërkesat flasin jo vetëm për rastet e aksidentet të trafikut por kërkesat janë edhe për raste të tjera të cilat ndodhin coftë nga lëndimet e natyrës tjetër”, ka thënë Rexhepi.

Genta Gjeladini, nga kolegji Tempulli, tha se mungesat e dozave të gjakut janë shumë të mëdha dhe dhurimi i gjakut është një veprim simbolik që mund të shpëtojë jetën e dikujt.

Gjeladini: Mungesa e dozave të gjakut janë të mëdha

“Mungesa e dozave të gjakut janë të mëdha, kështu që ju lusim, po ftojmë të gjithë ata qytetarë të cilët janë në gjendje të mirë shëndetësore të na bashkëngjiten në kauzën tonë. Është një çështje dhe veprim shumë simbolik edhe besoj që secili person i cili dhuron sot gjak, atëherë, e bon me u ndje, po foli në aspektin personal pak ma mirë se të paktën ndoshta ajo dozë që ne e japim të gjakut ia shpëton jetën dikujt”, tha Gjeladini.

Aktiviteti i dhurimit të gjakut është bërë në kuadër të përkujtimit të viktimave të aksidenteve të trafikut të organizuar nga Policia e Kosovës, Kolegji Tempulli dhe OSBE.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat