Sfidat e Ballkanit Perëndimor stabiliteti politik dhe reformat ekonomike!

Opinione

Sfidat e Ballkanit Perëndimor stabiliteti politik dhe reformat ekonomike!

Nga: Prof. Nijazi Halili Më: 9 korrik 2016 Në ora: 14:06
Prof. Nijazi Halili

Përballja me sfidat e brendshme të vendeve të Ballkanit Perëndimor ka të bëjë me: Stabilitetin politik dhe reformat politike, reformat juridike e institucionale, reformat ekonomike, reformat administrative. Në të katër këto aspekte të reformave, të cilat lidhen me përmbushjen e kritereve të Kopenhagës dhe të Mastrihtit për anëtarësimin e këtyre vendeve në Bashkimin Evropian, secili nga vendet e Ballkanit Perëndimor ka stade të ndryshme dhe veçori individuale.

Deri më tani, Kroacia ka tregues më të mirë në stabilitetin politik, në reformat institucionale dhe sidomos në treguesit ekonomikë të saj; Maqedonia ka tregues problematikë në reformat institucionale në implementimin e Marrëveshjes në kuadër të Ohrit dhe të rekomandimeve të Bashkimit Evropian për përmirësimin e standardeve demokratike, institucionale që do të ndikojnë në përmirësimin e marrëdhënieve ndëretnike; Shqipëria ka akoma tregues problematikë në vijimin e reformave institucionale, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, funksionalitetin e administratës publike dhe përgatitjen e kapaciteteve njerëzore, reformat ekonomike si dhe reformat në drejtësi dhe ato në sistemin dhe infrastrukturën zgjedhore.

Serbia përballet me paqartësi në demokratizimin e brendshëm, në orientimin e saj politik midis Lindjes dhe Perëndimit, në reformat institucionale, reformat ekonomike e sociale, bashkëpunimin me Gjykatën Ndërkombëtare për Krime 13 Lufte në Ish-Jugosllavi; Mali i Zi ndodhet përballë sfidave të sapo krijimit të shtetit të ri të pavarur, konsolidimit të institucioneve sovrane, integrimit në institucionet ndërkombëtare, reformat e brendshme institucionale dhe ekonomike për integrimin në Bashkimin Evropian dhe NATO, ndërtimin e marrëdhënieve diplomatike dhe të fushave të tjera me fqinjët, rajonin dhe gjithë sistemin ndërkombëtar; Bosnie&Hercegovina përballet me sfida serioze të kohezionit të brendshëm politik, të funksionalitetit integral të shtetit, reformat demokratike e institucionale dhe reformat ekonomike, në qasje me kriteret dhe standardet e BE dhe NATO-s; Kosova përballet me sfidën e një shteti të ri, me ndërkombëtarizimin e tij dhe integrimin në institucione ndërkombëtare sikundër edhe me procesin e ndërtimit të institucioneve, përgatitjen e kapaciteteve, reformat ekonomike, sociale etj. Të gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor, pavarësisht individualiteteve problematike që kanë, përballen edhe me sfida që kanë të bëjnë kryesisht me:Forcimin e shtetit të së drejtës,Konsolidimin e demokracisë, Reformat institucionale, Reformat ekonomike.

Krahas sfidave të brendshme, vendet e Ballkanit Perëndimor ballafaqohen edhe me probleme të bashkëpunimit ndër-rajonal. Pavarësisht retorikës politike, e cila gjithnjë e më shumë bëhet në frymën e BE dhe të NATO-s, faktikisht gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor kanë probleme ndërmjet tyre. Një grup problemesh rrjedhin nga trashëgimia, siç janë problemet e shteteve te reja, janë të drejtat e pakicave etnike, e pronave në zonat e zhvendosjeve të popullsive historikisht ose për arsye konfliktesh, i administrimit të kufijve, i kontrollit të trafiqeve, krimit transnacional dhe simptomave të terrorizmit.

Një grup tjetër problemesh lidhen me përafrimin e legjislacionit dhe institucioneve sipas standardeve të BE-së dhe NATO-s. Ky grup problemesh ka të bëjë me integrimin, i cili përmban dy hallka: Përafrim Rajonal, vlerësim mbi baza individuale, grupi i fundit i problemeve është ai i kuadrit të bashkëpunimit ekonomik, i cili nis me tregtnë e lirë, lëvizjen e mallrave, kapitaleve, shërbimeve, njerëzve dhe vijon me projektet e një revolucioni të vërtetë në ndërtimin e infrastrukturës rajonale në integrim të plotë me atë të Bashkimit Evropian. Në këtë mënyrë, tranzicioni i vendeve të Ballkanit Perëndimor synon që të ndërtohet në këtë Rajon modeli evropian i shtetit.

Ky model përmban:Shtetin e së drejtës, ku të sundojë ligji, Demokracinë, liritë dhe të drejtat themelore të njeriut dhe të pakicave, Ekonominë e tregut të lirë, funksionale dhe të hapur ndaj tregut evropian dhe botëror. Për sa kohë vendet e këtij rajoni do të vijojnë të përballen me probleme drejt arritjes së këtyre standardeve, tranzicioni do të vijojë të ndikojë në ekzistencën e shteteve të dobëta. Shtetet e dobëta në vetevete, sikundër e parashtruam më lart, janë një mjedis i përshtatshëm për kriza të çfarëdo lloji dhe të çfarëdo përmase, kombëtare dhe ndërkombëtare. Duke pasur parasysh edhe pozicionin gjeopolitik dhe gjeostrategjik të Ballkanit Perëndimor, traditat, lidhjet dhe ndikimet nga Mesdheu e Lindja e Mesme, mund të merret me mend se vijimi i ekzistencës së shteteve të dobëta në këtë rajon përbën një rrezik potencial për destabilitet dhe kriza me ndikime më të gjera.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat