Kusari – Lila: Të angazhohemi bashkërisht për krijimin e fshatrave me model evropian

Lajme

Kusari – Lila: Të angazhohemi bashkërisht për krijimin e fshatrave me model evropian

Më: 6 maj 2016 Në ora: 19:38

Kryetarja e komunës së Gjakovës Mimoza Kusari – Lila, ka qëndruar sot në fshatin Kushavec, ku me ftesë të banorëve të fshatit ka marrë pjesë në Festën e Nënës, një festë kjo tradicionale e këtij fshati, thuhet në një kumtesë të komunës së Gjakovës.

Siç njofton kumtesa, banorët e fshatit Kushavec e kanë falënderuar kryetaren për angazhimin e saj të përgjithshëm në komunën e Gjakovës, ndërsa me theks të veçantë e kanë falënderuar për përkujdesjen dhe përkrahjen që kryetarja Kusari – Lila e ka dhënë për fshatin Kushavec gjatë qeverisjes së saj të deritashme.

Nga ana tjetër, kryetarja Mimoza Kusari – Lila e ka vlerësuar fshatin Kushavec si njërin prej fshatrave më të organizuar në komunën e Gjakovës. Ajo ka thënë se organizimi i banorëve të Kushavecit për funksionalizimin e të gjitha sferave të jetës në brenda fshatit duhet të jetë shembull edhe për lokalitetet tjera, në mënyrë që në një të ardhme të afërm edhe fshatrat tjerë të kenë organizimin dhe pamjen e një fshati evropian, ashtu siç tashmë e ka fshati Kushavec. Për këtë, kryetarja Mimoza Kusari – Lila ka premtuar se nuk do të mungojë as angazhimi i pushtetit lokal, i cili në vazhdimësi po e përkrahë jetën në fshat, qoftë përmes rregullimit të infrastrukturës, qoftë përmes përkrahjes së bujqësisë dhe sferave tjera, thuhet aty.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat