Haliti: Thaçi do të votohet si president nga dy të tretat e deputetëve

Lajme

Haliti: Thaçi do të votohet si president nga dy të tretat e deputetëve

Më: 11 shkurt 2016 Në ora: 23:01

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës nga PDK-ja, Xhavit Haliti ka thënë se Kushtetuta nuk thotë që duhet të jetë e pranishme opozita në Kuvend, gjatë kohës kur votohet presidenti.

Ai thotë se se Kushtetuta e përcakton që kandidati për president duhet t’i ketë 81 vota ndërsa në raundin e tretë 61.

Haliti duke folur në emisionin Debat në RTK ka thënë se Kushtetuta nuk e specifikon se ku duhet të votohet presidenti, përveç se duhet të ketë kuorum, kundër kandidat dhe votat e mjaftueshme.

“Në qoftë se unë them nuk ka nevojë të jemi në sallën përkatëse sepse me Kushtetutë nuk shkruan që ne duhet të jemi në sallën e seancave. Presidenti duhet të zgjidhet në përputhje me Kushtetutën. Kandidati duhet të konkurrojë në përputhje me Kushtetutën dhe duhet që të votohet. Duhet të ketë kundër kandidat dhe nëse s’ka kundër kandidat, duhet të shkohet në rivotim”, ka thënë Haliti.

Haliti ka thënë se beson që Thaçi do të votohet për president qysh në raundin e parë.

“Unë nuk di që ka ndonjë pengesë, përveç që nëse nuk ka kuorum në Kuvend dhe nuk merr vota. Unë besoj që në votimin e parë do të zgjidhet presidenti me dy të tretat”, ka thënë Haliti.

Ai ka folur edhe për disa zëra brenda grupit parlamentar LDK-së që janë kundër Thaçit për president.

“Prej LDK-së e dini se janë deklaruar disa se nuk do të votojnë por nuk dua të flas në emër të tyre. Ne jemi në koalicion me ta dhe po besoj që kryesia e LDK dhe organet e saj janë deklaruar në shumicë që LDK e mbështet Thaçin president. Dhe unë po besoj që do t’i kemi votat e nevojshme për ta zgjedhur Thaçin president”, ka thënë ai.
Haliti ka thënë se ende nuk ka kërkesë për mbajtje të seancës, por sipas tij afati Kushtetues është 5 marsi kur duhet të jetë vendi me president.

“Ne në Parlament nuk kemi asnjë kërkesë për tu mbajtur seanca, as kërkese zyrtare dhe as kushtetuese. Afati Kushtetues dihet që është 5 marsi, i fundit dhe gjatë kësaj periudhe mund ta thërrasim, por duhet të jetë e deponuar në parlament kërkesa e 40 deputetëve”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat