A gaboi Ramushi që shkoi te Presidentja?

Lajme

A gaboi Ramushi që shkoi te Presidentja?

Nga: M.L. Më: 10 shkurt 2016 Në ora: 10:59

Publicisti Arbër Gashi thotë për “Bota sot”, se reagimi i Kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje Visar Ymeri ndaj shkuarjes së Kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, në takim me presidenten, tregon për diversitetin ndërmjet subjekteve politike.

Sipas Gashit, ky reagim nuk implikon përçarjen e bllokut opozitar, pasi ato kanë shpenzuar mjaft energji për të arritur deri tek unifikimi i kauzës së përbashkët.

“Reagimi i Visar Ymerit është tregues i diversitetit politik në kampin opozitar të partive parlamentare. Ky reagim nuk e implikon automatikisht edhe përçarjen dhe ndarjen e kampit opozitar. Është shpenzuar shumë energji opozitare për të ardhur deri te një unifikim rreth kauzave të përbashkëta, siç janë p.sh.: Marrëveshjet e Brukselit dhe së fundmi edhe kërkesat e zëshme për zgjedhje të reja parlamentare”, shprehet ai.

Sipas Gashit, vet mosprezenca e përfaqësuesve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Nisma në takimin te presidentja e Kosovës dëshmon për një qëndrim ndryshe të këtyre subjekteve ndaj dialogut politik në Kosovë.

“Për dallim prej bashkpunëtorëve tjerë opozitar, lideri i AAK-së Ramush Haradinaj ka vendosur që të jap kontributin e tij edhe në tryezën e bisedimeve. Ky hap i tij duhet të përshëndetet nga të gjithë, sepse bisedimet rreth krizës nuk nënkuptojnë në asnjë rrethanë heqjen dorë nga kauzat e përbashkëta të opozitës”, përfundon ai./BS

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat