Ja çfarë i ndodhi Ramush Haradinajt më 29 nëntor tri vite më parë (Video)

Lajme

Ja çfarë i ndodhi Ramush Haradinajt më 29 nëntor tri vite më parë (Video)

Më: 29 nëntor 2015 Në ora: 21:01

Sot tri vjet më parë shqiptarët e vazhduan festën e 28 Nëntorit, edhe pse ishte 29 nëntori. Festa vazhdoi dhe u bë edhe më madhështore pasi që Tribunali i Hagës për herë të dytë vërtetoi pastërtinë e luftës së UÇK-së. Më 29 nëntor të vitit 2012 Ramush Haradinaj fluturoi i lirë nga Haga drejt vendlindjes së tij.

Gjykata Ndërkombëtare për Krime Lufte në ish-Jugosllavi kishte liruar nga të gjitha akuzat ish-luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ramush Haradinaj, Lahi Brahimaj dhe Idriz Balaj.

Vendimi i rigjykimit të pjesshëm që zhvillohej me akuzën për “vrasje, torturë dhe trajtim mizor, si krime që bien ndesh me ligjet dhe zakonet e luftës” u lexua nga gjykatësi i rastit, Bakone Justice Moloto.

Rigjykimi i pjesshëm ndaj ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për zonën operative të Dukagjinit, Haradinaj, dhe dy bashkëluftëtarëve të tij, Brahimaj dhe Balaj, kishte nisur në korrik të 2010-ës.

Në vitin 2008, Haradinaj dhe Balaj u patën liruar nga të gjitha akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, ndërsa i akuzuari i tretë, Brahimaj qe dënuar me gjashtë vite heqje lirie për “trajtim mizor dhe torturimin” e të burgosurve të UÇK-së.

Rigjykimi që nisi më se dy vite më parë, pat ardhur si kërkesë e prokurorisë së Tribunalit të Hagës për t’i dëgjuar dëshmitë shtesë të dy dëshmitarëve “të rëndësishëm”.

Pas lirimit, në orët e mbrëmjes të 29 nëntorit, Haradinaj kishte ateruar në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”.
Ai u prit me nderime të lartë shtetërore.

Në Aeroportin e Prishtinës ai u prit nga ish kryeministri Hashim Thaçi, zyrtarë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës si dhe familjarë e të afërm.

Në Aeroportin e Prishtinës, Thaçi e Haradinaj u prononcuan së bashku ku ata vlerësuan se vendimi i Tribunalit të Hagës ishte dëshmi për luftën e drejtë të UÇK-së.

Lirimi i Haradinajt, tha kryeministri Thaçi, është lajm i mirë për familjen, qytetarët dhe Kosovën, por edhe për luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pafajësia e Haradinajt, vijoi Thaçi, është plotësim i festës së flamurit dhe 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë.

“Është një lajm i gëzuar. Është një lajm që i takon dhe që ndërlidhet drejtpërdrejtë me luftën e pastër dhe të drejtë që kemi zhvilluar si Ushtri Çlirimtare e Kosovës”, është shprehur Thaçi.

Në anën tjetër, Haradinaj ka falënderuar kryeministrin Thaçi për pritjen dhe ndihmën e ofruar gjatë gjykimit në Hagë. Ai tha se gjatë gjithë kohës ka jetuar me Kosovën, gëzimet dhe hallet e saj.

“Edhe pse në një proces të gjatë unë kam jetuar me ju me vendin. Jam gëzuar për të arriturat, për fitoret. Jam mërzitur për vështirësitë, për sfidat. Por, sot jam i gëzuar që drejtësia ndërkombëtare e ka konfirmuar se rruga jonë për liri ka qenë e pastër dhe e drejtë dhe po ashtu na mundëson që edhe rruga para nesh do të jetë e mirë dhe ne do të mundemi së bashku t’i tejkalojmë sfidat që na presin”, pati thënë Haradinaj në paraqitjen e tij të parë në Aeroportin e Prishtinës pas kthimit nga Haga.

Pas një vizite në familjen e tij në Prishtinë, Ramush Haradinaj i ishte drejtuar edhe masës së njerëzve të tubuar në qendër të Prishtinës.

“Duhet të rritet kualiteti i qeverisjes në vend. Menaxhimin më të mirë me mundësitë që ka Kosova me resurset, që ta rrisim nivelin e demokracisë në vend. Do të punojmë për zhvillimin ekonomik në Kosovë, pra për një shoqëri evropiane dhe në NATO”, ka thënë Haradinaj para masës së tubuar në qendër të Prishtinës.

Për nder të kthimit të tij në Kosovë, ishin ndezur fishekzjarre dhe organizuar manifestime.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat