"Rama anuloi Thaçin për të ardhë Vuçiç në stadium"

Lajme

"Rama anuloi Thaçin për të ardhë Vuçiç në stadium"

Më: 7 tetor 2015 Në ora: 08:45

Mediat serbe duke iu referuar ndeshjes Shqipëri - Serbi shkruajnë se Edi Rama ka shmangur prezencën në stadiumin e Elbasanit të zv.kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, njëkohësisht edhe ministër i Jashtëm, për t’i hapur rrugë homologut të tij serb, Vuçiç.

“Kryeministri shqiptar në këtë moment e ka më të rëndë- sishme se çdo gjë tjetër që ndeshja me Serbinë të shkojë mirë dhe pa asnjë incident dhe këtë ta përcjellë në shoqëri me Kryeministrin Vuçiç”, kanë konfirmuar burimet e gazetës “Danas”.

I njëjti burim tregon se Hashim Thaçi përfundimisht ka hequr dorë nga prezenca në stadium dhe se për këtë është informuar kabineti i Kryeministrit Vuçiç dhe tashmë është në dorën e tij të vendosë nëse do të shkojë në Elbasan ose jo. Edhe pse më herët ka njoftuar se do të jetë prezent në ndeshjen ShqipëriSerbi, Vuçiç e ka vënë në rishqyrtim këtë vendim pasi ka mësuar se në Elbasan do të jetë edhe Hashim Thaçi.

Ndërkohë burime nga Kryeministria pohuan dje për “Panorama” se Kryeministri serb, Vuçiç ka marrë ftesën nga kreu i qeverisë shqiptare Edi Rama dhe se është në dorë të tij që të zgjedhë nëse do të jetë në stadium ditën e enjte ose jo. Mësohet gjithashtu se qeveria e Republikës së Shqipërisë nuk do të kushtë- zojë pjesëmarrjen e personaliteteve të tjera të rajonit prej dëshirave të Kryeministrit serb, Vuçiç.

Komunikimi publik mes dy kryeministrave, Rama dhe Vuçiç është bërë më 10 korrik në “Twitter” pas vendimit të Gjykatës së Arbitrazhit të Lozanës që i dha tri pikë Shqipërisë për ndeshjen e Beogradit. “Mos u shqetëso Edi Rama, ne do ta fitojmë ndeshjen, pa dron dhe pa asnjë ndihmë, në zemër të stadiumit të Tiranës, ose në Elbasan.

Deri atëherë, kur ne do të takohemi përsëri”, shkruan ai. Përmes dy “twitter”-ave, Rama përgjigjet se: “Në Shqipëri, i dashur mik (Kryeministër i Serbisë), do të fitojë kush luan më bukur futboll dhe kurrë mos thuaj ‘ne do të fitojmë’, pasi asgjë nuk varet nga ju”, duke vijuar me ftesën që i bën homologut të tij: “Dhe që ta dish, ndeshja do të bëhet në Shkodër, ku je i mirëpritur të jesh i ftuari im i nderit, që t’i duartrokasim së bashku ata që do fitojnë”. Kryeministri serb pranoi ftesën për ta parë bashkë këtë ndeshje: “E the mirë. Do të jetë kënaqësia ime!”

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat