Kolona të gjata në kufirin me Serbinë, pritje deri në 4 orë

Lajme

Kolona të gjata në kufirin me Serbinë, pritje deri në 4 orë

Më: 1 gusht 2015 Në ora: 14:21

Policia e Kosovës njofton se në disa pikëkalime kufitare që lidhin Republikën e Kosovës me Serbinë, sot janë krijuar kolona me pritje në kohëzgjatje deri në 3-4 orë.

Sipas Policisë së Kosovës, informacionet e orës 13:00 tregojnë se në Merdar, në hyrje kolona është e gjatë rreth 3-4 km, ku pritjet janë 3-4 orë, ndërsa në dalje kolona është deri në 1–2 km dhe pritjet zgjasin rreth 1-2 orë, varësisht prej frekuentimit të automjeteve.

Ndërsa në pikë-kalimin kufitar tek Dheu i Bardhë në hyrje kolona është e gjatë rreth 2-3 km, ku pritjet zgjasin rreth 2-3 orë, edhe në dalje kolona është deri në 2- 3 km, dhe pritjet janë të njëjta rreth 2-3 orë.

Kurse në pikë-kalimin kufitar Mutivodë (drejtimi i fshatit Keçekollë) dhe pikë-kalimi kufitar Muçibabë –në hyrje dhe në dalje nuk ka fare pritje të gjata, përveç pritjeve normale afërsisht deri në 10-20 minuta.

Policia e Kosovës thotë se me kohë ka shtuar numrin e personelit policor në pika kufitare me qëllim të aplikimit të punës së kontrollit kufitar të përshpejtuar, për ti shmangur pritjet e gjata dhe të ju mundësojë qytetarëve, bashkatdhetarëve tanë kalim më të shpejtë të kontrollit kufitar.

Me qëllim të shmangies së pritjeve të gjata, Policia njofton të gjithë qytetaret se, ata që mund të shfrytëzojnë pikë-kalime tjera kufitare ku nuk ka pritje apo ka më pak pritje, ti shfrytëzojnë ato pasi nuk ka kolona dhe pritje të gjata, duke përfshirë pikëkalimet kufitare Mutivodë në drejtim të fshatit Keqekollë dhe Muqibabë - Gjilan, ku nuk ka pritje fare, apo pritjet janë më të shkurtra krahasuar me pikë kalimet kufitare Merdare dhe Dheu i Bardhë, të cilët janë më të frekuentuara.

Sipas zyrtarëve policor të Policisë së Kosovës, puna është duke u zhvilluar normalisht me kapacitete dhe intensitet të shtuar, mirëpo kolona-pritjet janë duke u shkaktuar si rezultat i fluksit të madh të automjeteve si dhe procedurave që aplikohen gjatë plotësimit të dokumenteve-formularëve për kalim kufitar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat