Greqia i thotë “Jo” Europës, ja skenarët pas referendumit

Lajme

Greqia i thotë “Jo” Europës, ja skenarët pas referendumit

Më: 6 korrik 2015 Në ora: 08:38

Kryeministri grek, Aleksis Tsipras u shpreh pas votimit se sot (dje) fitoi demokracia ndaj frikës.

Mbyllet procesi i votimit për referendumin në Greqi, ndërsa sondazhet e para dëshmojnë se qytetarët kanë mbështetur kryeministrin Tsipras për të rrëzuar planin e kreditorëve europianë.

Kutitë e votimit u mbyllën në orën 19:00, por çdo gjë do të bëhej e qartë pas disa orësh kur të mbërrinin në zyrat qendrore të Komisionit Zgjedhor të paktën 10% e votave nga gjithë qendrat e vendit.

Sipas mediave greke, rreth 60% e pjesëmarrësve në referendum kanë dhënë përgjigje negative. Pjesa tjetër, rreth 39%, janë shprehur me “Po” për marrëveshjen e propozuar nga KE, BQE dhe FMN.

Procesi i votimit ka qenë i qetë dhe me një pjesëmarrje rreth 65%, përtej kufirit prej 40% që e bën referendumin të vlefshëm.

Grekët duket se nuk janë trembur nga frika dhe paralajmërimet se, nëse nuk do të pranonin masat, kjo do të ishte një votë kundër Eurozonës.

Tsipras: “Kapitulli i ri për Europën”

Kryeministri i Greqisë, Aleksis Tsipras ka deklaruar pas votimit të sotëm se votimi kundër e forcon pozicionin e Greqisë në negociata me kreditorët. “Dikush mund ta injorojë vullnetin e një qeverie, por jo edhe të një populli”, tha Tsipras, duke shtuar se “të hënën do të hapet një kapitull i ri për Europën. Të njëjtin apel ka dërguar edhe ministri i Financave, Janis Varoufakis.

Ndërkohë, Presidenca franceze njoftoi se François Hollande do të presë mbrëmjen e së hënës kancelaren gjermane, Angela Merkel.

Dy udhëheqësit do të kenë një darkë pune “për të vlerësuar pasojat e referendumit në Greqi.”

“Ky takim në Pallatin Elize është pjesë e bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet Francës dhe Gjermanisë për të kontribuar në një zgjidhje të qëndrueshme për Greqinë”, thuhet në njoftimin për media të Presidencës franceze./Ora

Ish-kryeministri italian: Paratë për Greqinë i morën bankat gjermane!

Thuhet: ‘Ne paguajmë pensionet e grekëve’. Jo! Ne paguajmë bankat gjermane, dhe këtyre parave grekët nuk iu marrin as erë”. Me këto fjalë përfundonte intervista e Massimo D’Alema për ‘RaiNews24’, e cila po bënte namin gjatë atyre orëve në rrjetet sociale, duke mbushur profilet e përdoruesve të Facebook.

Ish-kryeministri i Italisë ishte ftuar nga kanali ‘all-news’ i Rai-t për të komentuar thirrjen, të cilën e ka nënshkruar ndërmjet personaliteteve të tjera, nobelistët Stiglitz dhe Krugman, për t’u kërkuar autoriteteve europiane më tepër fleksibilitet për borxhin grek dhe për politikat e masave shtrënguese. D’Alema e mbyllte intervistën e tij me një shembull, për të dëshmuar përse një bashkim monetar nuk mund të funksionojë pa një buxhet të përbashkët dhe përse pabarazitë mes vendeve të pasura dhe të varfra kanë gjasa të shtohen pa një bashkim politik.

“Në Gjermani, kostoja e parasë është tepër e ulët, – shpjegoi D’Alema, – kështu që bankat gjermane grumbullojnë para me një kosto thuajse zero. Me ato para blejnë titujt e Greqisë, e cila duke qenë një vend në rrezik paguan përqindje tepër të larta, 15%. Në këtë mënyrë përfitojnë një mal me para”. Me fjalë të tjera, përmes ndryshimit të normës së interesit, “burime të mëdha transferohen nga një vend i varfër, Greqia, te një vend i pasur, Gjermania. Vendi i varfër varfërohet gjithnjë e më shumë, vendi i pasur avantazhohet gjithnjë e më shumë”.

Schulz: Nëse votojnë ‘Jo’, Greqia duhet të hedhë në treg monedhën e re

Kreu i Parlamentit Europian, Martin Schulz, ka folur për një radio gjermane këtë fundjavë, – teksa grekët u janë drejtuar kutive të votimit në referendumin përcaktuar për qëndrimin ose jo të Greqisë në Eurozonë dhe për financat vendase, – duke u shprehur se Greqia do të duhet të hedhë në treg një tjetër monedhë, nëse vota ‘Jo’ triumfon këtë fundjavë.

“A do të jetë sërish Greqia në zonën e monedhës së përbashkët europiane pas këtij referendumi? Pikërisht kjo është çështja, por nëse populli grek i thotë ‘Jo’ marrëveshjes ndihma financiare kundrejt reformave, atëherë ata do të duhet të hedhin në treg një tjetër monedhë pas referendumit, sepse euroja nuk do të jetë e disponueshme për ta si mjet pagese”, Schulz.

Intervista e Schulzit është regjistruar që nga e enjtja e kaluar dhe është transmetuar këtë të diel në radion “Deutschlandfunk”, ndoshta edhe për të mos ndikuar në votat e grekëve.

“Në momentin kur dikush prezanton një monedhë të re, automatikisht ai vend del nga Eurozona. Këto janë elementët që më japin shpresë, se grekët nuk do të votojnë ‘Jo’ në këtë referendum”. Komentet e kreut të PE-së janë thuajse më të qartat dhe më të drejtpërdrejtat e deritanishme të bëra nga ndonjë zyrtar i lartë i BE-së.

Ndërkohë, në një tjetër reagim, Banka Qendrore Europiane duket se është e gatshme të ndërmarrë masa të tjera shtesë, nëse situata do ta kërkojë një ndërhyrje të saj, siç bën të ditur anëtari i bordit ekzekutiv të BQE-së, Benoit Coeure.

“Në rrethanat aktuale të një paqartësie të madhe në Europë dhe në botë, BQE-ja ka qenë e qartë se, nëse do të duhet të bëjë më shumë, do ta bëjë këtë pa hezitim. Do të gjejmë të gjitha instrumentet e nevojshme për ta realizuar këtë objektiv”, tha Coeure në një konferencë ekonomike në rajonin jugor të Francës, Aix-en-Provence. “Dëshira jonë për të vepruar është një çështje e padiskutueshme dhe nuk duhet vënë në dyshim”, shtoi ai./Top Channel

E frikësuar, Europa pret zërin e Greqisë

Europa dhe drejtuesit e saj presin përfundimin e referendumit në Greqi me pasoja për të ardhmen e kontinentit.

“Votim vendimtar i grekeve”, titullon artikullin e saj gazeta gjermane ”Frankfurter Allgemeine SonntagsZeitung”, “Europa në ankth” (Corriere della Sera), “Greqia vendos për të ardhmen e euros dhe BE-së” (El Pais), vëmendja e të gjithë kontinentit është përqendruar në referendumin që do zhvillohej në Greqi.

Ky votim, që duhet të mbështesë apo sanksionojë refuzimin e qeverisë greke për t’iu nënshtruar kërkesave të kreditorëve, do të vendosë për trajektoren në të ardhmen të integrimit evropian”, analizon për AFP-në, Pawel Tokarski, analist i Fondacionit të Shkencave dhe Politikës (SWP) në Berlin.

Një trajektore që, pavarësisht qetësisë së shfaqur, shpjegon frikën e zyrtarëve evropianë në fazën e parë të diskutimeve me Athinën.

”Një dalje e Greqisë nga unioni monetar do të nënshkruante dështimin e menaxhimit të krizës nxitur që prej disa vitesh nga kancelarja gjermane. Ajo nuk dëshiron të thotë se ka shtyrë Greqinë jashtë euros dhe ka dobësuar mbarë Evropën”, theksoi Julian Rappold, studiues në Institutin gjerman për politikën e huaj.

Dhe nëse këto pasoja ekonomike mund të ishin menaxhuar, një ”Grexit” do të ishte një sinjal shkatërrues për partnerët e BE-së”, theksoi dje ministri gjerman i Punëve të Jashtme Frank-Walter Steinmeier

Ndërkohë, shefi i “Bundesbank”-ut, Jens Weidmann, ka paralajmëruar kabinetin e drejtuar nga Angela Merkel se një dalje e mundshme e Greqisë nga Eurozona do të shkaktonte një “vrimë” me vlerë miliarda euroshe në buxhetin e Gjermanisë.

Kryeministri italian, Matteo Renzi theksoi dje se kushdo qoftë përfundimi i votimit, që prej ditës së nesërme duhet të rikthehemi në bisedime.

”E para që e di këtë është Angela Merkel”, shtoi ai.

“Europianët nuk do t’i lënë grekët të bien edhe nëse referendumi përfundon me një ‘jo’ dhe do t’i japin menjëherë Athinës kredi emergjente”, deklaroi presidenti i Parlamentit Europian, Martin Schulz./ATSH

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat