Quni: “Bota sot” gazetë e guximshme, e pakompromis dhe e vendosur në objektivat e saj

Lajme

Quni: “Bota sot” gazetë e guximshme, e pakompromis dhe e vendosur në objektivat e saj

Më: 26 qershor 2015 Në ora: 08:34

"Bota sot" gjatë këtyre 20 viteve ka qenë pjesë e rëndësishme e sistemit mediatik shqiptar. Me sa di, vite të tëra kjo gazetë ka shërbyer si dritare informimi për bashkatdhetarët tanë jashtë, kurse pas luftës ka pasur një rol të madh në angazhimet e saj për mbështetjen e proceseve politike dhe në demokratizimin e vendit.

Me angazhimet e saj, "Bota sot" është shquar si një gazetë e guximshme, e pakompromis dhe e vendosur në objektivat e saj në funksion të informimit të drejtë dhe në mbështetjen e proceseve të rëndësishme. Angazhimet e saj në denoncimin mediatik të dukurive negative socio-politike kanë qenë të mëdha e të vazhdueshme. Si pjesëtar i luftës çlirimtare kam vlerësuar shumë angazhimet e "Botës sot" në afirmimin e vlerave të luftës për liri, pavarësi e demokraci.

Me punën e saj, "Bota sot" ka afirmuar gjithë ata komandantë dhe luftëtarë që kanë luftuar, janë vrarë dhe janë plagosur në beteja të lavdishme të UÇK-së. Si me angazhimin e saj mediatik në funksion të proceseve socio-politike, ashtu edhe në vlerësimin e afirmimin e luftës çlirimtare, "Bota sot" ka lënë gjurmë rëndësishme. Dhe këtë e ka bërë me gjithë rreziqet, kërcënimet dhe vrasjet e gazetarëve dhe bashkëpunëtorëve të saj. Në 20 vjetorin e "Botës sot" kujtoj me respekt Xhemail Mustafën, Bekim Kastratin dhe Bardhyl Ajetin që u vranë e që kanë kontribuar në angazhimet mediatike për proceset pozitive socio-politike shqiptare, e që i mungojnë shumë jo vetëm skenës mediatike, por edhe asaj politike.

Tashmë kur kjo gazetë ka mbushur 20 vjet, uroj që të vazhdojë të jetë gazetë e rëndësishme në funksion të informimit të drejtë të opinionit publik dhe në funksion të proceseve kombëtare.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat