Rivarrosen 42 kufomat e veteranëve të UÇK-së (Video)

Lajme

Rivarrosen 42 kufomat e veteranëve të UÇK-së (Video)

Më: 30 maj 2015 Në ora: 19:25

Eshtrat e 42 veteranëve të UÇK-së të cilët kanë ndërruar jetë pas luftës në Kosovë, sot janë rivarrosur në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve në Kaçanik.

Qindra qytetarë të kësaj qyteze i kanë dhënë lamtumirën e fundit veteranëve të Brigadës 162 “Agim Bajrami. Në rivarrimin e eshtrave të veteranëve kanë marrë pjesë përveç bashkëluftëtarëve të tyre edhe zyrtarë nga komuna e Kaçanikut.

Kryetari i Komunës Besim Ilazi, duke u shprehur ngushëllime familjarëve të të rivarrosurve tha se ndjejnë dhimbje për mungesën e tyre por njëkohësisht krenar që kanë qenë së bashku gjatë një siç tha ai historie të lavdishme të kombit.

Ilazi: Fati deshi që një pjesë e veteranëve të shijojë një pjesë të lirisë

“Mbi të gjitha sot krenaria e mund dhembjen, e mund dhembjen për një arsye se që nga sot këtu në Kompleksin Memorial të dëshmorëve dhe veteranëve do të pushojnë të qetë sot e përgjithmonë eshtrat e veteranëve, bashkëluftëtarëve tanë”, tha Ilazi.

Ilazi tha se vepra dhe kontributi i tyre do të jetë gjithnjë pa harruar në historinë e kombit.

Ndërsa zëvendës komandanti i Brigadës 162 “Agim Bajrami”, Hajrush Kurtaj tha se sot po përmbyllet një obligim madhor, fisnik dhe ligjor ndaj bashkëluftëtarëve dhe veteranëve të UÇK-së.

Kurtaj: E kemi pasur obligim këtë proces

“Përmbyllja e këtij projekti ndaj veteranëve të ndarë nga jeta në këto 15 vite duke ua dhënë atyre vendin dhe hapësirën e merituar në varrezat e dëshmoreve të atdheut dhe në varrezat e vlerave të luftës përkon me verifikim dhe njohjen zyrtare të statusit të veteranit nga Komisioni Qeveritar për veteranët e UÇK-së dhe kategoritë e dala nga lufta”, tha Kurtaj.

Sipas tij këto 15 vjet ishin të rënda për të gjitha por veçanërisht për familjet e veteranëve të vdekur, por ky ishte një proces i domosdoshëm.

Të pranishmit pas ceremonisë së rivarrimit kanë vendosur kurora lule mbi varret e veteranëve që janë rivarrosur sot.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat