Tërnava: Ushtria e Kosovës domosdoshme, pas ngjarjeve në Kumanovë

Lajme

Tërnava: Ushtria e Kosovës domosdoshme, pas ngjarjeve në Kumanovë

Nga: Mimozë Lakna Më: 28 maj 2015 Në ora: 10:49

Eksperti i Sigurisë, Hajrullah Tërnava, konsideron se procedimi i ligjit për FAK-un në Kuvendin e Kosovës është i domosdoshëm dhe duhet të bëhet sa më parë për shkak të situatës në të cilën ndodhet Kosova pas asaj çfarë ndodhi në Kumanovë.

“Kushtetuta e parasheh që për miratimin e këtij ligji nga ana e deputetëve duhet të votojnë me dy të tretat të përgjithshme dhe të etnive tjera (pakicave), në mënyrë që ky ligj të jetë i plotfuqishëm. Edhe etnitë (pakica) në Kuvend duhet të jenë të vëmendshme e sidomos Lista serbe, dhe ti kontribuojnë që ky ligj të miratohet sepse është për të mirën e Kosovës që edhe ata janë pjesë kësaj Kosove, dhe kurrsesi të kemi ushtri mbi etnike, por një ushtri të përbashkët në bazë të komuniteteve që jetojnë në Kosovë”, vlerëson Tërnava për “Bota sot”.

Për këtë çështje, sipas tij, Kosovën duhet ta ndihmojnë edhe miqtë ndërkombëtar dhe të ndikojnë në Listën serbe që ta votojnë ligjin për Forcat të Armatosura.

“Situata e krijuar para pak ditëve në Kumanove dëshmon se FAK-u duhet sa më parë të formohet dhe të pajiset me armatim modern dhe jo vetëm FAK-u por edhe policia si ajo ROSU-s që në ato ditë kritike dhe tani është e detyruar të qëndroj rreth kufirit me shtetin Maqedonas. Koha është që sa më pare të kontaktohet me shtetet mike, dhe ky modernizim i armatimit të ndodhe sa më pare. Pa modernizim të armatimit luftarak të të gjitha llojeve moderne që i duhen një ushtrie të sofistikuar, në situata çfarë ndodhet Kosova në rrethimin me fqinjët e saj, Forcat e Armatosura të Kosovës nuk do ta arsyetojnë ekzistimin e tyre”, shton ai.

Tërnava thotë, se Kosova për këtë armatim luftarak modern duhet të ndaj mjetet financiare në çdo mënyrë e nëse ka nevoje të kërkoj kredi prej fondeve të ndryshme ndërkombëtare e sidomos nga shtetet mike që e përkrahin Kosovën dhe ushtrinë e saj.
“Përpos modernizimit me armatimin luftarak modern të gjitha llojeve, ushtrinë tonë duhet ta stërvitin ushtarak specialist të shteteve mike kështu që ajo të jetë sa më e aftë në mbrojtjen e atdheut të saj”, përfundon ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat