​Familja Mustafa bëhet me shtëpi të re

Lajme

​Familja Mustafa bëhet me shtëpi të re

Më: 5 maj 2015 Në ora: 17:49

Safete Mustafa nga Gjilani, e cila ka jetuar në gjendje të mjerueshme të banimit, nga sot e tutje do të bëjë jetë dinjitoze ngase Komuna e Gjilanit, në bashkëpunim me donatorin, familjen Bunjaku (Sabri, Rukije, Flamur) ia kanë ndërtuar shtëpinë e re moderne.

Çelësat zyrtarisht ia dorëzoi familjes Mustafa kryetari i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri dhe donatori Sabri Bunjaku. Kryetari Haziri tha se fondi për banim social në Gjilan është treguar jashtëzakonisht i suksesshëm falë donacioneve dhe solidaritetit të madh të qytetarëve.

“Vërtetë fondi për banim social në Gjilan është treguar jashtëzakonisht i suksesshëm falë donacioneve dhe solidaritetit të madh të qytetarëve siç është rasti me familjen Bunjaku, të cilët e kanë bërë me shtëpi familjen e zonjës Safete Mustafa. E kanë gëzuar këtë familje dhe e kanë kompletuar sepse kushtet kanë qenë jashtëzakonisht të rënda”, tha Haziri.

Kryetari Haziri konfirmoi se kjo është shtëpia e katërt që po ndërtohet në Gjilan, derisa ka shtuar se edhe katër të tjera pritet të ndërtohen gjatë vitit për familjet në nevojë.

Kreu i Gjilanit paralajmëroi se në këtë vit sërish do të organizohet një Gala mbrëmje e dytë, sepse, siç tha, asnjë familje nuk duam ta shohim në gjendje të rëndë të banimit.

Donatori Sabri Bunjaku u shpreh se është shumë i lumtur që kësaj familje ia mundësuan të jetoj në kushte të mira të banimit.

“Duke iu falënderuar kryetarit Haziri që e ka ndërmarrë iniciativën, me ndihmën e djalit tim Flamurit, e ndërtuam këtë shtëpi me çelësa në dorë. Kjo është shtëpia e dytë që e ndërton familja ime sepse në vitin 2005 e kemi ndërtuar një tjetër në fshatin Livoç. Jemi shumë të lumtur që kësaj familje ia mundësuam të jetoj mirë”, ka thënë Sabri Bunjaku.

Nga ana e saj, zonja Safete Mustafa ka falënderuar kryetarin Haziri dhe donatorin për ndërtimin e shtëpisë, duke i mundësuar jetë të dinjitetshme familjes së saj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat