Mustafa: Lirinë e solli Rugova dhe forca e UÇK-së

Lajme

Mustafa: Lirinë e solli Rugova dhe forca e UÇK-së

Më: 5 maj 2015 Në ora: 17:27

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, sot mori pjesë në manifestimin qendror për shënimin e 5 Majit, Ditës së Dëshmorëve dhe të Rënëve të Komunës së Podujevës që u mbajt në kompleksin memorial “Zahir Pajaziti” në Orllan.

Kryeministri Mustafa me këtë rast tha se lufta dhe rënia e dëshmorëve për liri do të jetë gjithmonë udhërrëfyesi më i mirë për brezat e ardhshëm të vendit, ashtu siç ishin udhërrëfyes për Zahirin, Hakifin, Ilirin dhe bashkëluftëtarët e tyre, sakrificat dhe brezat e mëparshëm, që nga vitet 1910, 1912, në periudhën mes dy luftërave botërore, demonstratat dhe rezistencën që treguan studentët, të rinjtë dhe qytetarët e vendit.

“Me gjithë vështirësitë e mëdha për shkak të pushtimit klasik serb në vitet e ‘90-ta, Kosova arriti të ketë këto dy komponentë shumë të rëndësishme, duke gjetur te Presidenti Historik Ibrahim Rugova prijësin e urtë dhe vizionar, i cili arriti t’i siguronte miq vendit anekënd dhe te Ushtria Çlirimtare e Kosovës, forcën, e cila do të thoshte me tytën e pushkës: Mjaft dhunës dhe terrorit shtetëror, i cili zhvillohej në atë periudhë”, tha Mustafa.

Më tej Mustafa tha se republika e pavarur, shtet sovran dhe demokratik, ka qenë ëndrra dhe ideali i gjithë atyre që punuan dhe u flijuan për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Ata ranë gjithashtu me synimin se Kosova të jetë një vend i zhvilluar, një vend i vlerave më të përparuara të qytetarisë dhe të kulturës evropian.

Ndonëse jemi të vetëdijshëm se na presin shumë punë dhe sfida për t’i zgjidhur, themi me bindje të plotë se Republika e Kosovës i ka të gjitha mundësitë për të zënë hapin me vendet tjera evropiane, në mënyrë që secili qytetar i Kosovës të ndihet i dobishëm për vendin e tij dhe të ketë vullnet për të jetuar në shtëpinë e tij, në atdheun tonë të vetëm e të mrekullueshëm, në Republikën e Kosovës”, tha Mustafa.

Në manifestimin që u mbajt në Orllan një fjalë rasti ka mbajtur edhe ish-komandanti i Zonës Operative të Llapit Rrustem Mustafa si dhe përfaqësues nga Shoqatat e Luftës në Llap.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat