Steinmeier: Gjermania nuk i ka vënë kushte shtesë Serbisë

Lajme

Steinmeier: Gjermania nuk i ka vënë kushte shtesë Serbisë

Më: 28 prill 2015 Në ora: 14:12

Frank Walter Steinmeier theksoi në Beograd (28.04) se Gjermania është e interesuar që Serbia të hapë sivjet negociatat me Brukselin për anëtarësim në BE. Ai shtoi se askush nuk i ka ndryshuar kushtet për fillimin e këtyre negociatave. "Pohimet se Gjermania i ka parashtruar Serbisë kushte të reja për bisedimet janë absolutisht të pavërteta. Gjermania si edhe vendet e tjera të Bashkimit Evropian janë të interesuara që Serbia t'i hapë sivjet kapitujt e parë të negociatave", theksoi Steinmeier, pas bisedimeve me ministrin e Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiq. Steinmeier nënvizoi se normalizimi i raporteve me Kosovën është pjesë e detyrave të përbashkëta të Beogradit dhe Prishtinës, të cilat duhen plotësuar në procesin e afrimit me BE-në.

Daçiq: Gjermania do të jetë kontruktive

Ministri i Jashtëm serb Ivica Daçiq pohon se Gjermania do të jetë "konstruktive në gjetjen e zgjidhjeve më të mira për afrimin e Serbisë me BE." Ai dhe homologu i tij gjerman ishin të mendimit se "Gjermania dhe Serbia kurrë nuk kanë pasur raporte më të mira politike dhe ekonomike", duke shtuar se ato duhet të vazhdojnë të thellohen. "Vitet e fundit kemi ndërtuar raporte të mira mirëbesimi dhe partneriteti. Gjermania është një prej parnetërëve më të rëndësishëm ekonomik të Serbisë, me një shkëmbim tregtar prej më shumë se 3 miliardë euro", theksoi Daçiq. Gjermania është një prej investorëve dhe donatorëve më të mëdhenj të Serbisë, me një vlerë prej mbi një miliardë euro investimesh, nga viti 2000 deri më sot. Steinmeier theksoi se ekzistojnë potenciale të mëdha për shkëmbimin ekonomik, duke shtuar se sipërmarrjet gjermane që punojnë në Serbi janë të kënaqura me kushtet.
Steinmeier më pas u takua edhe me kryeministrin e Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe presidnetin Tomisllav Nikoliq. Më pas ministri i Jashtëm gjerman do të vizitojë edhe Kosovën, ku do të takohet me autoritetet më të larta të vendit - presidenten Atifete Jahjaga, kryeministrin Isa Mustafa dhe ministrin e Jashtëm Hashim Thaçi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat