VV-ja: Bujqësia, “prioriteti” i Qeverisë, në vetëm tri faqe

Lajme

VV-ja: Bujqësia, “prioriteti” i Qeverisë, në vetëm tri faqe

Më: 30 mars 2015 Në ora: 14:12

Përkundër kushteve të favorshme klimatike dhe tokës pjellore që ka Kosova, gjendja e tanishme e bujqësisë është e rëndë, dhe kjo si pasojë e veprimeve joadekuate dhe irracionale të njerëzve jokompetentë të Qeverisë së kaluar, e që po vazhdojnë të qeverisin edhe me këtë Qeveri.

Nënkryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Driton Çaushi, tha se nga hapësira që i është kushtuar sektorit të bujqësisë në këtë program qeverisës, tregon se bujqësia nuk është prioritet as i kësaj qeverisjeje.

“Në këto tri faqe, sa edhe i janë ndarë programit për zhvillimin e bujqësisë, mungon çfarëdo vizioni dhe planifikimi i qartë për këtë sektor që do duhej të ishte një nga shtyllat kryesore të zhvillimit ekonomik dhe sektorëve të punësimit në Republikën e Kosovës. Ajo që na ofrohet në këtë program nuk përmban asnjë ndryshim përmbajtësor nga politikat e dështuara bujqësore të qeverive të kaluara. Kjo bëhet edhe më problematike duke njohur faktin që edhe në pjesën tjetër të programit qeverisës, që ka të bëjë me politikat tregtare dhe masat mbrojtëse për prodhuesit vendor nuk kemi asnjë ndryshim serioz që do të stimulonte zhvillimin e sektorit të bujqësisë”, tha Çaushi.

Kosova ka një “Program Kombëtar për Bujqësi dhe Zhvillim Rural (2014-2020)”, i cili duhet te jetë në harmoni të plotë me programin e Qeverisë. Por ky program nuk është përmendur fare në kuadër të programit qeverisës dhe nuk është i harmonizuar fare me objektivat.

Deputeti Salih Salihu veçoi disa nga paqartësitë që këtë program e bëjnë problematik, pa objektiva të qarta dhe pa plan për realizimin e tyre.

“Në program thuhet se buxheti do të rritet vazhdimisht, por nuk është saktësuar se sa do të jetë buxheti në dy vitet e ardhshme dhe se cilat masa do të mbështeten; në rritjen e fondit për subvencione dhe grante, thuhet që do mbështetet blerja e plehrave kimike, pesticideve, farës dhe fidanëve, e më poshtë e shkruajnë komplet të kundërtën, duke subvencionuar prodhimin e jo inputet; nuk janë të trajtuar kriteret për subvencionim; nuk janë të shpjeguara se cilat masa do të ndërmerren kundër importit damping dhe se a do të subvencionohet edhe tek ne eksporti i produkteve bujqësore; përmenden pikat e grumbullimit, por nuk është qartësuar roli i pikës së grumbullimit në zinxhirin prodhues; shumë pak rëndësi i kushtohet blegtorisë, perimtarisë dhe vreshtarisë, përderisa flitet për produkte të reja si kivi, shpargulla, kultivimi i kërmijve, strucave dhe drerëve, për çka Kosova nuk ka ndonjë traditë”, tha ndër të tjera Salihu.

Ai tha se vetëm shprehjet apo shumat që i dedikohen bujqësisë nuk garantojnë zhvillim të bujqësisë, por duhet program dhe politika adekuate per secilin sektor që orientojnë bujqësinë drejt zhvillimit të qëndrueshëm. “Kosova ka nevojë për politika të mirëfillta që mbrojnë prodhimin vendor, ka nevojë për hartimin dhe zbatimin e masave në sigurimin e cilësisë së prodhimeve vendore dhe për promovimin e tyre, ka nevojë për themelimin e një fondi të veçantë për zhvillimin e bujqësisë, ku fermerët do të mund të kenë qasje në kredi të buta”, potencoi Salihu.

Gjithashtu, është me interes për bujqësinë e Kosovës të bëhet orientimi i prodhimit sipas predispozitave që kane regjionet e caktuara, për prodhimin e kulturave lavërtare, perimore, pemëtare-vreshtare dhe blegtorisë, si dhe të bëhet planifikimi i prodhimit sipas trendeve të zhvillimit të tregut, për të mënjanuar mundësinë e paraqitjes se hiperprodhimit të një kulture të caktuar, dhe deficitin e një kulture tjetër në treg.

Për të gjitha këto natyrisht që kërkohet një angazhim dhe koordinim më i mirë ndërinstitucional të Kryeministrisë (AVUK), Ministrisë së Bujqësisë, Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Tregtisë dhe Industrisë si dhe doganave dhe gjyqësorit. Si përfundim themi që bujqësia do të vazhdojë me këtë gjendje të rëndë, prodhimi vendor do të jetë i pambrojtur dhe i pabarabartë në treg, si dhe fermerëve nuk do t’i ofrohet mbështetje as në cilësi, as në sasi dhe as në kohën kur ata kanë më shumë nevojë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat