Komuna përkujton të vrarët e demonstratës së vitit 1989

Lajme

Komuna përkujton të vrarët e demonstratës së vitit 1989

Më: 27 mars 2015 Në ora: 16:30

Në organizim të Komunës, në 26 vjetorin e vrasjes së tyre, janë përkujtuar, Bedri Hasani, Behram Sumiqi, Hilmi Kajtazi, Ramadan Zeqiri dhe Hakif Bislimi, të cilët janë vrarë gjatë demonstratës së 27 marsit të vitit 1989 nga forcat serbe, ndërkaq janë plagosur me armë zjarri mbi 24 pjesëmarrës të tjerë të demonstratës, e janë maltretuar në mënyrë më mizore edhe dhjetëra shqiptarë të tjerë.

Në emër të Komunës, të pranishmit në këtë takim përkujtimor, i përshëndeti, nënkryetari i Komunës, Safet Kamberi. Në fjalën e tij para familjarëve të të vrarëve, si dhe pjesëmarrësve të tjerë në mesin e të cilëve kishte edhe ish të plagosur të asaj kohe, ai tha se është obligim i institucioneve që ti përkujtojnë të gjithë ata që brez pas brezi sakrifikuan shumë për lirin e këtij vendi.
“Ne si Komunë, e kemi obligim që t’i përkujtojmë pesë pishtarët e demokracisë, që u vranë para 26 viteve, duke sakrifikuar edhe jetën e tyre për lirin të cilën ne sot e gëzojmë. Institucionet e Kosovës si në nivelin lokal ashtu edhe ato në nivelin qendror, duhet t’i përkujtojnë dhe nderojnë të gjithë ata që brez pas brezi sakrifikuan shumë për lirinë e vendit të cilët sot ne e gëzojmë”, tha Kamberi.
Ai me këtë rast, i ka njoftuar familjarët e të vrarëve se po punohet në ngritjen e një pllake përkujtimore në vendin ku ata janë vrarë, në afërsi të Stacionit të Autobusëve, duke besuar se vitin tjetër do të bëhet zbulimi i saj dhe për çdo vit ata do të përkujtohen në vendin ku dhanë jetën e tyre.

Halit Barani, i përshëndeti të pranishmit në emër të Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut - KMDLNJ, dhe në emrin e tij personal, duke rikujtuar më pas segmente nga ngjarja në fjalë, të cilën e kishte përcjell nga afër.
Familjarët e të vrarëve, kanë falënderuar komunën, që për herë të parë ka organizuar këtë takim përkujtues për të afërmit e tyre, të cilët deri më tani kanë qenë të harruar nga të gjithë. Gjatë fjalimeve të tyre, ata nuk kanë hezituar të drejtojnë akuza si në pushtetet e kaluara, ashtu edhe në qeverinë aktuale, duke i kritikuar se i kanë lënë në harresë sakrificat e bijve tanë por edhe shumë të tjerëve që sakrifikuan jetën e tyre për Kosovën.
Në shenjë nderimi, Komuna, por edhe KLMDNJ, ju dhuruan nga një mirënjohje post-mortum, familjarëve të të vrarëve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat