Fatmir Sejdiu: Vendit po i kanoset rreziku

Lajme

Fatmir Sejdiu: Vendit po i kanoset rreziku

Më: 27 janar 2015 Në ora: 19:45

Për protestën e sotme dhe dhunën gjatë saj ka reaguar edhe ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu. Në një postim të tij në Facebook, Sejdiu ka thënë se protesta e së martës dhe të shtunës kanë sjellë një situatë dramatike dhe brengosëse për Kosovën.

“Motivi thelbësor i reagimit ndaj deklaratave të pamatura të një anëtari të Qeverisë dhe kundërshtimi i mënyrës se si është vepruar me Projektligjin për Trepçën, është e kuptueshme të nxisë reagime dhe kundërshtim. E gjithë kjo ka mundur dhe besoj se ende nuk është vonë të zgjidhet në mënyrë legale dhe racionale. Në një situatë të tillë çdo qeveri e përgjegjshme do të ndërmerrte veprime të duhura e të arsyeshme, karshi këtyre zhvillimeve kaq shqetësuese”, ka shkruar Sejdiu.

Ai ka kundërshtuar veprimet e dhunshme ndaj objekteve të institucioneve të Republikës, dhe po kështu edhe ato të përdorura në përplasjet e protestuesve e të policisë.

Sejdiu ka tërhequr vërejtjen për rrezikun që po i kanoset vendit. Sipas tij kriza mund te eskalojë deri në përmasën e dëmtimit të rëndë të shtetit tonë.

“Në këtë kohë kaq të brishtë e të ndjeshme për vendin është e domosdoshme qasja racionale e institucioneve të vendit për ruajtjen e stabilitetit të tij, për ruajtjen e sovranitetit shtetëror dhe zhvillimin e demokracisë së mirëfilltë. Kosovës i duhet paqja dhe mirëkuptimi. Kjo mund të bëhet vetëm me përgjegjësi dhe urti njerëzore dhe institucionale", ka shkruar Sejdiu.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat