Kërkohet ligj për subjektet politike

Lajme

Kërkohet ligj për subjektet politike

Më: 26 janar 2015 Në ora: 13:09

Anëtari i KQZ-së nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Florian Dushi, ka kërkuar të miratohet Ligji për regjistrimin dhe funksionimin e partive politike.

Dushi në profilin e tij në “Facebook” ka shkruar se ky ligj do t’i vendoste kriteret për formimin dhe regjistrimin e një partie politike si dhe do të vendoste detyrime për këto parti në kuptimin e respektimit të rendit demokratik e kushtetues në Kosovë.

“Në Republikën e Kosovës, me një demokraci shumë të re dhe akoma të pakonsoliduar mirë, çdo ditë kemi rastin të shohim qëndrime dhe veprime të partive të caktuara politike që bien ndesh me Kushtetutën e Kosovës dhe ligjet në fuqi. Bile ka edhe të atilla që angazhohen (sipas instruksioneve publike të një shteti tjetër) për rrënimin e pavarësisë së Kosovës, por edhe të tjera që provojnë marrjen e pushtetit me dhunë. Për këtë arsye është shumë me rëndësi (këtë e kërkoj së paku që nga viti 2011) që Kosova ta nxjerrë ligjin për regjistrimin dhe funksionimin e partive politike, ligj i cili, në vija të trasha, do t’i vendoste kriteret për formimin dhe regjistrimin e një partie politike, por edhe do të vendoste detyrime për këto parti në kuptimin e respektimit të rendit demokratik e kushtetues në Republikën e Kosovës dhe jo vetëm”, ka thënë Dushi.

Sipas Dushit, në mjaft raste të ngjashme me Kosovën në botë, në bazë të një ligji të këtillë, gjykatat ndalojnë veprimtarinë e partive të këtilla, por edhe lidershipit të tyre derisa ata ta zhvillojnë veprimtarinë e tyre politike konform dhe në respektim të plotë të rendit demokratik e kushtetues të shtetit përkatës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat