"Shqiptarët, me sytë nga Tirana e Prishtina", flamuri kuq e zi valëvitet në Serbi

Lajme

"Shqiptarët, me sytë nga Tirana e Prishtina", flamuri kuq e zi valëvitet në Serbi

Më: 28 nëntor 2014 Në ora: 20:46

Lugina e Preshevës e ka festuar 28 Nëntorin duke vendosur flamuj kombëtarë në ndërtesat e institucioneve në Bujanoc e Preshevë.

Kryetari i sapozgjedhur i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Jonuz Musliu, në ballkonin e këtij institucioni, vendosi sot flamurin kombëtar, në prani të dy kryetarëve të komunave, Preshevë e Bujanoc.

“Sfida më e madhe është që shqiptarët të drejtohen, unifikohen në rrugën e drejtë e të mirë, drejt Tiranës e Prishtinës. Për këtë, koalicioni ka marrë një obligim dhe kemi parimet për të nderuar ushtarët, të cilët luftuan për të qenë vetëvendosës në Luginë të Preshevës, për të nderuar referendumin e vitit 1992, për të drejta dhe tekste mësimore që vijnë nga Tirana e Prishtina, si dhe valimi i simbolit kombëtar, siç po valon sot në Bujanoc, pasi nuk ka kompromis”, u shpreh Musliu.

Duke uruar qytetarët për këtë ditë, ai ritheksoi qëndrimin e tij për bashkim me Kosovën dhe Shqipërinë. Ndërsa Kryetari i Komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa tha se kjo është një ditë me rëndësi për shqiptarët, pasi po shënohet dita e simbolit kombëtar dhe 102-vjetorin e Pavarësisë së Republikës së Shqipërisë.

“Çdo shqiptar, kudo që gjendet sot, me dinjitet dhe me një dashuri të madhe shënon ditën e flamurit kombëtar, sepse edhe ne këtu jemi shqiptarë, duke merituar që, këtë ditë ta shënojë dhe festojë duke u ndjerë i gëzuar se është shqiptar”, tha Mustafa, raporton portali informativ.

Po ashtu, ai kërkoi nga institucionet shtetërore të lejohet përdorimi zyrtar i flamurit kombëtar si simbol identifikues për shqiptarët e Luginës.

Kryetari i Komunës së Bujanocit, Nagip Arifi, duke u uruar punë të mbarë anëtarëve të rinj të Këshillit Kombëtar Shqiptar për punën në të ardhmen, uroi edhe shqiptarët për festën gjithëkombëtare.

“Shfrytëzoj rastin që, të gjithë shqiptarëve, para së gjithash, Qeverisë shqiptare, kosovare, shqiptarëve të Luginës së Preshevës, Maqedonisë, si dhe shqiptarëve në tërë rruzullin tokësor, t’i uroj këtë ditë të bekuar dhe dhashtë Zoti që festat tjera t’i festojmë me një atmosferë edhe më të mirë”, u shpreh i pari i Komunës së Bujanocit.

Më pas, Arifi e ngriti flamurin në ndërtesën e Komunës së Bujanocit. Dita e flamurit dhe 102-vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë u festua edhe me aktivitete kulturore në shtëpinë e kulturës në Preshevë e Bujanoc.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat