Vlerat e luftës çlirimtare u përvetësuan nga shumëkush

Lajme

Vlerat e luftës çlirimtare u përvetësuan nga shumëkush

Më: 27 nëntor 2014 Në ora: 16:00

Sipas tij, Lufta Çlirimtare është diçka shumë e shtrenjtë dhe si e tillë nëse nuk ruhet mirë, atëherë edhe e grabisin të tjerët.

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje dhe njëri nga figurat kryesore të Luftës Çlirimtare të Kosovës, Rexhep Selimi, tha se vlerat e Luftës Çlirimtare nuk janë ruajtur mirë, ngase këto vlera janë marrë dhe përvetësuar nga shumëkush.

“Lufta Çlirimtare e Kosovës është vlerë e çmueshme e kombit shqiptar, nuk është vlerë vetëm e Kosovës, por është vlerë e kombit shqiptar për çlirimin e tokave të Kosovës. Deri më tash ka qenë vlerë e pa ruajtur mirë, prandaj ka marrë shumëkush nga këto vlera, që nuk i takojnë”, tha Selimi.
Sipas tij, Lufta Çlirimtare është diçka shumë e shtrenjtë dhe si e tillë nëse nuk ruhet mirë, atëherë edhe e grabisin të tjerët.

“Nuk ia kemi arritur ne si shtet, si shoqëri t’i çmojmë këto vlera, jo vetëm për t’i pasur si bagazh për personifikimin e dikujt, ose si histori personale e dikujt, por si vlerë e çmueshme e kombit shqiptar e pa personalizuar”, u shpreh Selimi.
Ai thotë se qëllimi i Luftës Çlirimtare ka qenë që Kosova të jetë e lirë dhe e barabartë me të gjithë popujt e tjerë.

“Ne thjeshtë kemi dalë në luftë që ta kemi lirinë si të gjithë popujt e tjerë dhe të drejtat e bashkimit kombëtarë si të gjithë popujt e tjerë, prandaj edhe qëllimi parimor i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë çlirimi dhe bashkimi kombëtarë”.
Sipas Selimit, synimi i kësaj lufte nuk është realizuar për shkak së nuk kanë qenë të parët që kanë bërë përpjekje për ta çliruar vendin, por ka pasur përpjekje të vazhdueshme për të njëjtin qëllim, që sipas tij është liria dhe bashkimi kombëtarë.

“Qëllimi është aq i thjeshtë dhe aq i drejtë siç është liria dhe barazia kombëtare. Edhe atëherë, edhe para nesh, edhe pas nesh, populli shqiptarë kërkon të ketë të drejta të barabarta. Pavarësisht arritjeve shumë të mëdha, ende mendoj që shqiptarët kanë nevojë që të bëjnë përpjekje për t’i pasur të drejtat e barabarta me popujt e tjerë, e të drejtat e tyre janë edhe liria, edhe zhvillimi shoqëror, poashtu edhe liria e të drejtës për vetëvendosje”.
“Lufta Çlirimtare do të vazhdojë të mbetet njëra ndër etapat më të lavdishme të historisë së kombit shqiptar”, përfundon Selimi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat