Ata e kanë një hall: Të mos vdesin nga uria dhe i ftohti

Lajme

Ata e kanë një hall: Të mos vdesin nga uria dhe i ftohti

Më: 24 nëntor 2014 Në ora: 11:25

Kjo familje e kishte hallin se si ta sigurojë bukën e të mos vdisnin nga uria e të ftohtët.

Një shtëpi e zymtë, ku mbizotëronte një rreze e vogël drite nga dritarja e vjetër e dhomës, përpiqej të ngrohte jetën e vështirë të banorëve që jetonin aty.

Dyshemeja e dy dhomave të kësaj shtëpie ishte e tëra e përlyer dhe e ftohtë, ngase nuk kishte tepihë.

Në atë dysheme kishte rroba të vendosura, që ishin të shpërndara në çdo anë, pasi që nuk kishte orendi. Vinte një erë e rëndë, sa që mezi e duroje, por banorët e asaj shtëpie sikur ishin mësuar të qëndronin në atë erë dhe nuk iu dukej e çuditshme. Epo, në njëfarë mënyre nuk kishin se çfarë të bënin, pasi që kjo është streha e vetme e tyre.

Fëmijët me barkun bosh

Qefsere Gashi, kryefamiljarja e kësaj shtëpie, e sëmurë psikikisht, dhe po ashtu e mërzitur, tregon për gazetën kushtet e vështira në të cilat jeton familja e saj.

“Jemi shtatë anëtarë të familjes. I kemi pesë fëmijë. Jetojmë këtu në këtë shtëpi, ku është tejet ftohtë, e po ashtu mungojnë shumë gjëra, si orenditë, pastaj nuk kemi as shtretër. Por, nuk po kemi çka të bëjmë, sepse nuk kemi ku të shkojmë tjetër”, ka thënë ajo duke treguar rrobat e shpërndara.

Po ta shihje në pamje të parë nuk të krijonte përshtypje që është e sëmurë psikikisht dhe, edhe pse ishte në atë gjendje, ajo mundohej të kujdesej për fëmijët e saj, të cilët kërkonin për të ngrënë.

“Mezi po kujdesem për fëmijët, pasi që jam e sëmurë e nuk po kam para për të shkuar te mjeku e as për të blerë barna. Fëmijët po kërkojnë bukë. Nuk e kuptojnë gjendjen e vështirë në të cilën jetojmë, vetëm duan që barkun ta kenë të mbushur, asgjë tjetër”, është shprehur ajo duke vënë dorën në fytyrë.

Padyshim se është tejet e vështirë për një prind kur fëmija i kërkon ndonjë gjë e ai nuk mundet t’ia plotësojë.

“Këta po kërkojnë gjëra të ndryshme dhe burri im nuk punon askund, vetëm kush e thërret privat nganjëherë. Por, edhe aty shumë pak para merr e nuk po mundet t’ua plotësojë dëshirat atyre”, thotë ajo, duke shtuar se fëmijët fatmirësisht janë të shëndoshë dhe nuk janë të sëmurë.

Aty afër Qefserës qëndronte vajza e saj e madhe. Ajo e dëgjonte të ëmën teksa fliste dhe nganjëherë i ndryshonte mimikat e fytyrës, gjë e cila tregonte se sikur po i përjeton ato gjëra që i tregonte Qefserja.

“Fëmijët po shkojnë në shkollë dhe nuk kanë as kushte që të shkojnë, pasi që u mungojnë veshmbathjet e shumë gjëra të tjera. Nuk po kemi se me çka t’ua blejmë, pasi që po duhet t’u blejmë bukë që të paktën të uritur të mos mbesin”, është shprehur ajo.

Kjo familje të vetmen ndihmë ka asistencën sociale, e cila nuk u mjafton as për gjërat elementare.

“Marrim 75 euro ndihmë sociale, por nuk po na mjaftojnë as për të blerë miell e gjëra të tjera ushqimore. Kë raste kur mbesim edhe pa bukë, e ata të cilët e kanë më së vështiri janë fëmijët, sepse nuk durojnë dot dhe për këtë e harroj sëmundjen time kur shoh ata që janë të uritur”, tregon ajo.

Nuk kanë as dru për dimër

Burri i saj, Bedriu, kishte dalë që të kërkonte ndokund ndonjë punë, pasi që tani u duheshin para për të blerë dru për dimër e po ashtu edhe ndonjë mjet për ngrohje.

“Burri im del çdo ditë e kërkon ndonjë punë private, që të paktën të marrë ndonjë para, pasi që tani është ftohur koha e nuk kemi as dru. E po ashtu as shporet nuk kemi dhe duhet t’ia bëjmë disi, sepse këtu është tejet ftohtë, pasi që as shtëpia nuk është e lyer brenda”, tregon Qefserja.

Përveç zyrtarëve nga Qendra për Punë Sociale në komunën e Malishevës, këtë familje nuk e kishte vizituar askush tjetër.

“Nuk na ka ndihmuar askush, madje përveç nga Qendra për Punë Sociale që vijnë të na vizitojnë nganjëherë, askush tjetër nuk na viziton. E ne kemi nevojë për shumë gjëra si për ushqim e edhe gjëra të tjera për shtëpi, por nuk po mund t’ia dalim që t’i sigurojmë”, thotë ajo me lot në sy.

Pavarësisht që e kishte të vështirë të kërkonte që të tjerët t’i ndihmonin ishte gjendja e vështirë ajo e cila e detyronte ta bëjë një gjë të tillë.

“Të mund të na ndihmonte ndokush që të paktën disa gjëra elementare t’i kemi do të ishte shumë mirë, e po ashtu edhe këtë shtëpi ta rregullojmë pakëz, sepse e kemi shumë ftohtë. Andaj i lus që kushdo që ka mundësi sadopak të na ndihmojë”, ka thënë ajo duke fshirë lotët.

Ndërsa, Nazibe Hoti, zyrtare nga Qendra për Punë Sociale në komunën e Malishevës, ka thënë për gazetën se gjendja e kësaj familjeje është tejet e rëndë.

“Jetojnë në kushte tejet të vështira. Po ashtu Qefserja është e sëmurë psikikisht dhe e ka edhe raportin mjekësor. Ajo nuk është në gjendje të kujdeset as për fëmijët. Ne nganjëherë iu ndihmojmë me gjëra ushqimore dhe po ashtu edhe ndihmën sociale të cilën e marrin, sepse më shumë ne si Qendër nuk kemi mundësi”, ka thënë ajo.

Ndërsa tani e vetmja shpresë për Qefserën është dora e zgjatur e bamirësve. Numri ku mund ta kontaktoni këtë familje për ta ndihmuar është: 044/ 608 583. /kosovasot/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat