Organizata sekrete terroriste “Crna Ruka”

Lajme

Organizata sekrete terroriste “Crna Ruka”

Më: 21 tetor 2014 Në ora: 11:40

Është fakt i pamohueshëm se ekzaltimi i dhunës dhe kulti i forcës në Serbi kanë ecur paralelisht, bashkë me një prirje për përbetime dhe për terrorizëm, sidomos që nga mbërritja e pavarësisë dhe realizimi i projektit të Serbisë së Madhe në fillim të shek. XIX.
Organizatat terroriste zyrtare dhe gjysmëzyrtare serbe organizoheshin dhe ndihmoheshin prej shërbimit sekret të Ministrisë së Brendshme, Shërbimit Informativ, nëpërmjet Ministrisë së Jashtme, Shërbimit Informativ Ushtarak, organizatave serbomëdha brenda dhe jashtë Serbisë, të cilat vepronin në pjesën ballkanike të Perandorisë Osmane. Mbi të gjitha, këto organizata i lejonte dhe i nxiste për veprim drejtpërsëdrejti kreu shtetëror serb.

Përdorimi i konspiracioneve dhe i organizatave sekrete, përdorimi i terrorizmit politik kundër qeverive në fuqi, apo prej këtyre të fundit si mjete për fitimin e pushtetit, të ruajtjes ose të përforcimit të tij, kanë rrënjë të thella në Serbi. Këtu duhen përmendur atentatet kundër monarkëve apo pretendentëve për fronin: Beograd 1903, Sarajevë 1914, Marsilje 1934.

Ëndrrat e marra të Serbisë së Madhe kanë gjetur në një farë mënyre mbështetje tek terrorizmi dhe po ashtu edhe te aksioni klandestin. Organizatat sekrete si “Dora e Zezë” (“Bashkim ose Vdekje”) si dhe lëvizja paramilitare çetnike serbe, përbëjnë paradigmën e luftës kundër popujve rezistues dhe kryeneçë ndaj ëndrrës për Serbinë e Madhe.

Lëvizja çetnike serbe, që në fillim të shekullit XX, grumbullonte në gjirin e vet kriminelë ordinerë, nacionalistë, idealistë, që të gjithë të organizuar në interes të idealit serbomadh. Pasi betoheshin për bindje, besnikëri dhe mbajtjen e sekretit, të rekrutuarit nga të gjitha shtresat e shoqërisë, kishin mbushur të gjitha administratat, si: policinë, ushtrinë, diplomacinë, pushtetin gjyqësor, universitetin dhe shtypin. Duke u paraqitur zakonisht, sa për dukje, si shoqata me fasadë kulturore dhe nacionaliste në ish-Jugosllavi dhe jashtë saj, çetnikët zhvillonin një aktivitet paralel si në kohë lufte ashtu edhe në kohë paqeje. Aktiviteti i tyre shtrihej që nga subversioni deri në korrupsion, duke kaluar nëpërmjet spiunazhit, por gjithashtu nëpërmjet aktivitetit terrorist në masë, ose edhe vrasjeve individuale.

Grupe të armatosura paramilitare (çetnikët serbë) që nga luftërat ballkanike e deri në ditët tona, fare zyrtarisht nga njëra anë, kanë qenë shkolla të vërteta të krimit specifik ballkanik, të cilat që prej më shumë se një shekulli, dhe në mënyrë të përsëritur në Serbi, i kanë imituar ato gjetkë në momente të caktuara.

Autori serb Millorad Tomaniq, në librin e tij “Kisha serbe në luftë dhe luftërat brenda saj”, ndër të tjera shkruan:

“Kamuflimet, gënjeshtrat e gjysmë të vërtetat ishin arma kryesore e atyre që gjatë dy dhjetëvjeçarëve të fundit të shek. XX u paraqitën si luftëtarë të interesave nacionale serbe”.

1.1. Organizata sekrete terroriste serbe “Crna Ruka” (“Dora e Zezë”)

Motoja: “Ujedinjenje ili Smrt”/(“Bashkim ose Vdekje”)

Organizata sekrete terroriste serbe “Crna Ruka” (“Dora e Zezë”) është themeluar në maj të vitit 1903, nga strukturat militante dhe kriminale të ushtrisë serbe. Fillimi i veprimtarisë së kësaj organizate sekrete serbe ndërlidhet me organizimin e komplotit për vrasjen e mbretit serb Aleksandër Obrenoviq.

Organizata sekrete terroriste serbe “Dora e Zezë” sundimin e saj e shtriu në Beograd, pasi që në qershor të vitit 1903 e masakroi mbretin Aleksandër Obrenoviq dhe me puç e solli në fuqi Petar Karagjorgjeviqin, i cili gjatë gjithë jetës së tij do të jetë rob i kësaj organizate. Komplotin e organizuar më 29 maj 1903 për vrasjen e Aleksandër Obrenoviqit, që e ndërroi rrjedhën e historisë serbe, e kanë udhëhequr dy gjeneralë, katër kolonelë, tre nënkolonelë, tre majorë, 30 kapitenë, 47 togerë, 13 nëntogerë dhe 5 civilë. Më vonë është zbuluar se truri i komplotit ka qenë në nivelin më të ulët, ndërmjet togerëve dhe personalitetit të Dragutin Dimitrijeviqit – APIS-it.

Këso kohe krerët e monarkisë serbe i dhanë përparësi forcimit të organizatave ekstreme serbe.

Organizata sekrete terroriste serbe “Crna Ruka” (“Dora e Zezë”) u riformua dhe mori përmasa të mëdha në vitin 1911. Një gjë e tillë ndodhi pas përçarjeve të brendshme në radhët e organizatës së dorëzinjve. Në vitin 1911, “Crna Ruka” e ndërroi emrin dhe u shndërrua në organizatën sekrete terroriste serbe “Ujedinjenje ili Smrt” (“Bashkim ose Vdekje”). Mirëpo, për nga orientimi nuk ndërroi asgjë, edhe më tutje mbeti organizatë sekrete, që merret me komplote, atentate dhe veprime terroriste çetnike. Më vonë sërish u quajt “Crna Ruka” (“Dora e Zezë”), e cila si vise serbe i fiksonte Bosnjën e Hercegovinën, Malin e Zi, Maqedoninë, Kosovën, etj. Misioni i saj ishte veprimtaria e gjithanshme në viset e cilësuara.

Pra, organizata sekrete terroriste serbe “Crna Ruka” (“Dora e Zezë”) është rithemeluar më 9 maj 1911, ndërsa organi i saj, revista “Pijemont” (Serbisë i është dhënë roli i piemontit), ka filluar të dalë më 21 gusht 1911. Programi publik i organizatës (ka pasur edhe programin e fshehtë – tejet sekret) është publikuar në “Pijemont”. Pronari dhe redaktori i ditarit “Pijemont”, ka qenë Luba Jovanoviq–Çupa, njëri ndër kryesorët e organizatës çetnike në Serbinë e atëhershme, bashkë me kolonelin Dragutin Dimitrijeviq -“APIS” – themeluesin e organizatës terroriste “Dora e Zezë”, qëllimi i të cilës ishte “bashkimi i të gjitha tokave të Serbisë: Bosnjës e Hercegovinës, Malit të Zi, Kosovës, Maqedonisë, Kroacisë, Sllovenisë, Vojvodinës dhe “Primorjes” (viseve bregdetare). Si gazetar i “Pijemontit” ka punuar edhe Mosha Pijade. Pra, programi i organizatës “Crna Ruka”, synonte pushtimin e gjithë Ballkanit dhe serbizimin gradual të tij.

Autori amerikan Majkëll Shakëlford (Michael Shackleford), në një artikull me titull “The Black Hand, the Secret Serbian terrorist Society”, jep detaje për shtrirjen e terrorizmit serb. Bazuar në faktet historike, Shakëlford konstaton se propaganda e fuqishme, por edhe ndihma shumë e madhe e ushtrisë, e xhandarmërisë dhe e qeverisë serbe (në prapavijë e Rusisë) mundësoi krijimin e organizatës së parë terroriste me reperkusione globale, lindjen e “Dorës së Zezë”. Dhjetë prej dorëzinjve u takuan më 9 maj 1911 për të formuar organizatën “Ujedinjenje ili Smrt” (“Bashkim ose Vdekje”), e njohur gjithashtu si “Dora e Zezë”. Qëllimi kryesor i organizatës ishte formimi i Serbisë së Madhe, duke shfrytëzuar dhunën si mjet politik. “Dora e Zezë” bënte trajnimin e gueriles dhe sabotuesve, duke aranzhuar vrasje politike.

Në mënyrë të veçantë organizata “Crna Ruka” (“Dora e Zezë”), e cila shquhej për karakterin e saj serbomadh, komplotues e terrorist, ishte kthyer në një forcë të tmerrshme në Beograd. Flitej se në të merrnin pjesë shumë anëtarë të qeverisë. Mbreti Petar Karagjorgjeviqi, që ishte vënë në fron prej saj, s’kishte pushtet mbi të. Anëtarët e “Crna Rukës” futeshin në shërbimin policor e ushtarak, që të mos gjenin pengime për planet e tyre. Me anën e fletores “Pijemont”, përhapnin një shovinizëm të tërbuar dhe këshillonin metoda të egra. Damjan Popoviqi, kryevrasësi, zinte një vend me rëndësi. Përpjekjet që bënin njerëz të politikës për të mos i pranuar mënyrat e saj dhe për ta shpërndarë fare, dështonin. Ngjanin vdekje të pashpjegueshme. “Dora e Zezë” nuk duronte ndërhyrje.

Kjo organizatë sekrete terroriste kishte edhe Kushtetutën (Statutin) dhe Rregulloren e vet. Statuti i “Dorës së Zezë” është gjetur në Selanik, i nënshkruar nga dhjetë pjesëtarët e Drejtorisë Supreme Qendrore: Ilija Radivojeviq, Bogdan Radenkoviq, Çedomir A. Popoviq, Velimir Vemiq, Lubomir S. Jovanoviq, Dragutin Dimitrijeviq - Apis, Vojislav Tankosiq, Ilija M. Jovanoviq - Pçinjski, Millan Vasiq dhe Millan Gj. Millovanoviq - Pilac.

Udhëheqësi kryesor i “Dorës së Zezë” ishte Dragutin Dimitrijeviqi i njohur me nofkën “APIS”. “APIS”-i ishte shef i sigurimit ushtarak në ushtrinë serbe. Të gjitha komandat serbe gjatë Luftërave Ballkanike dhe gjatë Luftës së Parë Botërore ishin nën kontrollin dhe sigurimin e tij.

“Dora e Zezë” në fillim ishte e organizuar në atë shkallë të 3 deri 5 celulave. Organizativisht degëzohej në komitete të rretheve, në krye të të cilave ishte komiteti qendror në Beograd. Në piramidë të kësaj organizate ishte dhjetëshja udhëheqëse e Komitetit Ekzekutiv, herë pas here me më shumë ose me më pak anëtarë. Anëtarët e rinj betoheshin: “...para Zotit, në nderin dhe jetën time do të ekzekutoj të gjitha misionet dhe komandat pa pyetje. Unë betohem para Zotit, në nderin dhe në jetën time që do t’i marr të gjitha sekretet e kësaj organizate në varr së bashku me veten”. Grupe satelite të “Dorës së Zezë” u formuan në Sllavoni, Bosnjë e Hercegovinë dhe në Istër. Grupi i Bosnjës u emërua “Mlada Bosna” (“Bosnja e Re”).

“Dora e Zezë” e kishte Komitetin Drejtues edhe në Prishtinë si dhe organet që i siguronin lidhjet e përditshme ndërmjet qeverisë së tyre dhe qarqeve të tjera. Ky komitet në kuadër të tij i kishte 12 oficerë, ndër të cilët një kolonel, dy nënkolonelë dhe dy majorë, të cilët ishin pjesëtarë të mëhershëm të organizatave terroriste serbe. Për punën e tyre rreth vrasjeve, asimilimit dhe shfarosjes masive të popullit shqiptar ata merrnin rroga të majme nga qeveria serbe e Beogradit.

Shteti serb nëpërmjet organizatës sekrete terroriste “Dora e Zezë” kishte krijuar edhe fonde sekrete, të cilat i ndante nëpërmjet konsullatës serbe në Prishtinë, e cila nëpërmjet anëtarëve të vet, këto fonde i shpërndante tek njerëzit që e paralizonin punën e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat