Universiteti feston 50 vjet gjeografi

Lajme

Universiteti feston 50 vjet gjeografi

Më: 19 shtator 2014 Në ora: 22:26

Departamenti i Gjeografisë në Universitetin e Prishtinës ka mbushur pesë dekada punë. E këtë ka vendosur që ta shënojë në një manifestim që është mbajtur në Sallën e Kuqe të Universitetit “Hasan Prishtina”.
Aty është thënë se këto pesë dekada, janë vite pune, angazhimi, sakrifice e gëzimi e hidhërimi. Janë dekada nëpër të cilat kanë kaluar shumë breza. Por, mbi të gjitha, janë vite që kanë shënuar një pjesë të historisë së Universitetit të Prishtinës, dhe të një departamenti që ka nxjerrë vlera dhe i ka shërbyer dijes dhe shtetit.
“Tani, janë bërë 50 vjet që nga themelimi i departamentit të Gjeografisë dhe që nga atëherë në gjuhën shqipe gjenerata studiuesish të rinj, kanë marrë mësime për hapësirën, tokën, ambientin, kufirin, hartën, resurset, regjionet, popullsinë, ekonominë dhe perspektivën”, është thënë aty.
Departamenti i Gjeografisë për ketë solemnitet me përkrahjen e Dekanatit të Fakultetit të Shkencave Matematike Natyrore, nxori botimin e veçantë te revistës “Kërkime Gjeografike” ku është paraqitur historiku i Departamentit, te arriturat dhe sfidat, biografitë dhe bibliografitë e mësimdhënësve dhe bashkëpunëtorëve, bashkë me kontributet e tyre shkencore dhe pasqyra e studentëve të diplomuar si dhe planprogramet aktuale.
Për historikun e departamentit, ecjen e tij dhe zhvillimet aktuale, ka folur udhëheqësi i Departamentit të Gjeografisë, Shpejtim Bulliqi. Ai ka treguar se me emrin Katedra e Gjeografisë, ky department u themelua në vitin akademik 1963/1964 dhe ishte pjesë e Fakultetit Filozofik, në të cilin nga viti 1960 bënin pjesë Katedra e Albanologjisë, Serbokroatishtes, Kimisë, Biologjisë, Matematikës dhe Fizikës.
“Në vitin 1972/1973 me vendimin e Këshillit Shkencor-Mësimor, Fakulteti Filozofik u nda në dy fakultete, në Fakultetin Filozofik dhe në Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore. Në kuadër të Fakultetit të Shkencave Matematike-Natyrore bënin pjesë Katedrat e Matematikës, Fizikës, Kimisë, Biologjisë dhe Gjeografisë”, ka thënë Bulliqi.
Ai ka thënë se shpejt, seksioni i Gjeografisë u bë qendra e parë e edukimit dhe e shkencës gjeografike dhe megjithë rrethanat e vështira të zhvillimit, ky seksion i cili në fillim të viteve 2000 mori emërtimin që e ka edhe sot, Departamenti i Gjeografisë arriti të japë kontribut të çmuar në veprimtarinë arsimore dhe shkencore.
“Departament i Gjeografisë për krejt këto vite jetë e punë nxori një numër të madh studentësh, mësimdhënësish dhe ekspertësh të fushës së gjeografisë të cilët për vite të tëra i plotësuan nevojat e shoqërisë se Kosovës por edhe trojeve tjera etnike”, ka thënë Bulliqi, teksa ka folur edhe gjatë për personelin akademik e procesin edukativ, për sfidat e punës jashtë objektit të Fakulteit, për veprimtarinë shkencore e botuese të departamentit, si dhe për gjendjen në të cilën ndodhet sot ky departament.
Në këtë manifestim ka folur edhe dekani i Fakultetit të Shkencave Matematiko Natyrore, Tahir Arbneshi, i cili ka thënë se që nga ai fillim e deri në ditët e sotme nga Departamenti i Gjeografisë dolën qindra kuadro të niveleve të ndryshme të kulaifikimit profesional –shkencor nga arsimtarët e shkollave fillore e gjer te akademikët të cilët i kontribuuan zhvillimit të arsimit kombëtar në nivel parauniversitar dhe universitar.
“Përpos në zhvillimin e arsimit , Departamenti i Gjeografisë dhe kontribut në zhvillimin e veprimtarisë së institucioneve shoqëroro-ekonomike të vendit. Në veçanti në këto dy dekadat e fundit në kuadër të reformës së arsimit të lartë Departamenti i Gjeografisë përgatiti kuadro të profileve aplikative që ishin në hap me kërkesat bashkëkohore të tregut të punës”, ka thënë ai.
Moment i veçantë në këtë jubilar, ka qenë nderimi për kontributin e tyre edukativ, profesional dhe shkencor, profesorët dhe bashkëpunëtorët e Departamentit të Gjeografisë. Për këtë qëllim Menaxhmenti i Fakultetit te Shkencave Matematike-Natyrore dhe Departamenti i Gjeografisë ka vendosur qe mësimdhënësve t’u ndajë nga një mirënjohje në shenjë respekti për punën e tyre ndër vite.
Mirënjohje i është dhënë akademik Mark Krasniqit, akademik Hivzi Islamit, akademik Ruzhdi Pllanës, doktorëve, Musa Gashi, Riza Çavolli, Valdet Pruthi, Ibrahim Ahmetaj, Muharren Cerabregu, Tefik Basha, Hajriz Meleqi. Postmortëm janë nderuar Zeqir Bajrami, Enver Dukagjini, Sherif Maloku, Esat Haskuka, Qazim Lleshi, Asllan Pushka e Gani Gashi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat