Nagafci: Ata që flasin për prejardhjen time, le t’i shikojnë veprimet e veta

Lajme

Nagafci: Ata që flasin për prejardhjen time, le t’i shikojnë veprimet e veta

Më: 1 shtator 2014 Në ora: 09:57

Drejtoresha e sapo zgjedhur e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Arbërie Nagafci, u ka bërë thirrje të gjithë atyre që, siç ka thënë ajo, janë skeptik me zgjedhjen e saj në krye të këtij sektori që t’i shikojnë punët e veta dhe të marrin përgjegjësi për veprimet e tyre derisa merren me prejardhjen e saj.
Nagafci këto komente i ka bërë në një intervistë për KosovaPress-in, ku ka thënë se të gjithë ata që kanë reaguar pas zgjedhjes së saj në këtë post, do të duhej të merreshin me profesionalizmin e saj e jo me prejardhjen, pasi siç ka thënë Nagafci, punësimi i saj në këtë detyrë është i ligjshëm dhe se nuk ka shkelje ligjore në këtë drejtim.

“Më mirë do të ishte të mos bëja fare koment se nuk ia vlen me pas koment në këtë drejtim. Unë e thash do ta kuptoja shumë mirë shqetësimin e tij për profesionalizmin tim. Dikush që nuk më njeh dhe i intereson profesionalizmi im do të ishte shumë në rregull. Mirëpo, kjo është një diçka që është e garantuar, është e drejtë e secilit të punoj kudo që ka dëshirë në kuadër të Republikës së Kosovës, do me thënë ne nuk kemi shkelur kurrfarë të drejtë. Unë sidomos sa i përket partive të tjera unë e kuptoj që ata ndoshta mund të jenë të shqetësuar sepse shumë gjëra po shihet që nuk duhet të jenë ashtu siç janë. Ata që flasin për prejardhjen e dikujt do të ishte më mirë që të mbajnë përgjegjësi për veprimin dhe për nivelin. Ne e dimë se cili është sistemi i arsimit sot në Kosovë dhe dikush duhet të jap përgjegjësi për të gjitha këto. Do të ishte më mirë që të reflektojnë dhe të mendojnë për vete ndërsa qëllimi ynë është që të tregojmë se kemi mundësi dhe do të angazhohemi maksimalisht. E përmenda prioritetet tona janë për cilësi në arsim, do të bëjmë veprime shumë konkrete, jemi të sigurt se me një vullnet dhe përkushtim do t’ia dalim me bë ndryshime të mira. E di se ka arsimdashës dhe njerëz të interesuar me bashkëpunuar, kështu që për ne është e rëndësishme profesionalizmi dhe puna jonë në këtë drejtim. Ndërsa, ajo çka thonë të tjerët është punë për të tjerët, nuk është për mua”, ka deklaruar ajo.

Ndërkohë, sa i përket menaxhimit me këtë sektor, Nagafci ka thënë se është e sigurt se do t’ia dal pasi që sipas saj, puna e saj paraprake nuk lidhet vetëm me komunën e Gjakovës por me shumicën e komunave të Kosovës.

“Specifikat e punës sime nuk lidhen vetëm me komunën e Gjakovës por unë kam mbi 20 vite përvojë pune dhe për fat të mirë lidhen me komunat e të gjithë Republikës së Kosovës. Unë kam bashkëpunuar dhe kam pas rastin që në kuadër të projekteve të ndryshme të bashkëpunoj edhe këtu në Komunën e Prishtinës. Njoh nga drejtorët e shkollës, mësimdhënësit por edhe përfaqësuesit e këshillave dhe drejtuesit e shkollave më njohin sepse kam fasilituar punëtori të ndryshme 3 edhe në Komunën e Prishtinës, sikurse edhe në komunat e tjera. Unë jam e vetëdijshme për përgjegjësinë që e kam marrë përsipër, por po ashtu jam shumë e sigurt për përkrahjen e madhe që do të kem edhe për përkushtimin tim, ashtu edhe për kompetencat e mia. Është një detyrë që shumë po e quajnë post unë po e quaj detyrë të cilët do t’i përkushtohem maksimalisht. Kam pas fatin që punën tim kam punuar si mësimdhënëse por kam qenë për dy mandate drejtoreshë e shkollës por së fundi bashkëpunëtore profesionale në projekte të ndryshme, të gjitha në lidhje me arsimin. E njoh pak a shumë specifikën por problemet e arsimit janë pothuajse të njëjta në të gjithë Republikën e Kosovës”, ka deklaruar ajo.

Ndër të tjera, Nagafci ka folur edhe për projektin e saj për zhvillimin e sektorit të Arsimit në kryeqytet për të cilin ka thënë se i ka 5 objektiva siç është qeverisja, udhëheqja dhe menaxhim cilësor e efikas në institucionet arsimore.

“Pastaj kemi planifikuar, pra është e paraparë si objektivë e dytë edhe përfshirja e shtuar e fëmijëve në edukimin parashkollor dhe ofrimi i shërbimeve më cilësore. Ju tash më e dini angazhimin e Komunës në hapjen e çerdheve të reja me bazë në komunitet dhe besoj që do të plotësojmë edhe këtë objektivë të dytë. Objektiva e tretë është ngritja e cilësisë dhe gjithpërfshirja në arsimin fillor dhe të mesëm. Ky është edhe një ndër prioritetet kryesore te ne. Ne do të angazhohemi maksimalisht në këtë drejtim duke shikuar buxhetin për vitin e ardhshëm, do të thotë jemi në planifikim, kemi ndarë një fond të posaçëm që do të dedikohet posaçërisht për këtë qëllim. Për ne është shumë me rëndësi cilësi të jetë në nivelin më të lartë të mundshëm dhe do të angazhohemi në këtë drejtim. Natyrisht do të punojmë edhe në ndërtimin e mekanizmave për zhvillim të vazhdueshëm profesional të mësimdhënësve. Tashmë në komunën e Prishtinës janë disa qendra të zhvillimit profesional të mësimdhënësve. Ka filluar infrastruktura ekziston, po punohet për komunitetin e të punuarit së bashku, është një punë që ka filluar miq herët dhe do të vazhdojmë ta mbështesim dhe po ashtu kemi disa ide të reja. Krijimi i mjedisit miqësor, të shëndetshëm dhe të sigurt për të gjithë është objektiva e pestë të cilit po ashtu do t’i kushtojmë shumë kujdes”, ka thënë ajo.

Nagafci është shprehur se Komuna i ka bërë të gjitha përgatitjet edhe për fillimin e vitit të ri shkollor në kryeqytet.

Ajo ka thënë se zyrtarët e DKA-së në Prishtinë po punojnë intenzivisht në disa drejtime, siç është çështja e punësimit të personelit, përfundimin e konkurseve për mësimdhënës, edukatore, drejtorë e zv.drejtorë të shkollave në kryeqytet, përmirësimin e infrastrukturës fizike, përgatitjet për tekstet mësimore etj., dhe sipas Nagafcit të gjitha shkollat do të jenë të gatshme dhe do të punojnë ashtu sipas planifikimeve prej 1 shtatorit.

Drejtoresha e arsimit ka thënë se nga shtatori do të filloj edhe sigurimi i një shujte në ditë për të gjithë nxënësit e klasave nga 1 deri në të pestën në të gjitha shkollat e kryeqytetit si dhe sigurimi i dollapëve nëpër klasa ku nxënësit do t’i lënë disa libra për t’ua lehtësuar çantat që i bartin çdo ditë.

“Po, kanë filluar përgatitjet, ka filluar kjo procedurë dhe nga shtatori në shtator do të fillojmë me shujta për të gjithë nxënësit e klasës së parë deri në të pestën. Janë edhe këtu janë bërë disa veprime,janë konsultuar personat e fushës përkatëse se cili është ushqimi më i shëndetshëm për fëmijë, është përcaktuar gramazha që duhet të ketë, sasia e lejuar e aditivit, të gjitha ato që e bëjnë që një ushqim të jetë i shëndetshëm për fëmijët. Kryetari Shpend Ahmeti është duke u angazhuar dhe i ka pas disa biseda që të siguroj së paku edhe një qumësht për fëmijë,. Do të kenë edhe një frutë në një ditë të caktuar të javës, jemi në procedurë të përfundimit, në shtator do të fillohet me këtë shujtë”, është shprehur ajo.

Ndërsa për vendosjen e rafteve nëpër klasa në shërbim të nxënësve për t’i vendosur librat, Nagafci ka thënë se ka filluar puna në këtë drejtim dhe se edhe ky projekt do të realizohet shumë shpejt.

Kurse, sa i përket Gjimnazit të Matematikës, Nagafci ka thënë se është skeptike për fillimin e punës së kësaj shkolle, pasi sipas saj, ende ka shumë punë për t’u bërë deri në funksionalizimin e tij, edhe pse është shprehur se është shumë e interesuar ta funksionalizoj këtë shkollë sivjet.

Sa i përket kopshteve dhe numrit të tyre, drejtoresha e Arsimit ka thënë se janë identifikuar edhe katër objekte të reja të cilat do të hapen si çerdhe nëpër lagje të ndryshme në komunës sivjet, ndërsa ka shtuar se në planin afatgjatë ka projekte edhe për kopshte tjera publike.

“Komuna ka fillua trashmë procesin e identifikimit të objekteve të lira të komunës. Janë identifikuar gjithsej 4 objekte, po flasim për çerdhet me bazë në komunitet. Janë identifikuar 4 objekte të lira të komunës, në Hajvali, në lagjen Mati, në Besi dhe në Busi. Kanë filluar diskutimet në lagjen Mati dhe aty kanë përfunduar në fakt diskutimet, është zgjedhur këshilli dhe po punohet në themelimin e çerdhes. Shpejt do të hapet edhe konkursi për stafin edhe mësimdhënësit në lagjen mati ndërsa në këto lagjet tjera jemi në proces të diskutimeve publike që do të mbahen me pjesëtarët e komunitetit. Po ashtu në Hajvali kanë filluar diskutimet, njëjtë edhe në pjesët e tjera ashti si edhe në Kodrën e Trimave ku akoma nuk kemi një objekt të përcaktuar por po shohim se si do të veprohet në këtë drejtim sepse është identifikua se është një nevojë e madhe për çerdhe edhe në këtë drejtim. Këto do të jenë çerdhe me bazë në komunitet dhe është një praktikë që ka ndodh edhe në vende tjera dhe është tregu si mjaft e suksesshme”, ka thënë ajo.

Nagafci ka shtuar se ka filluar procedura për ndërtimin e një çerdheje të re në Arbëri, projekt ky i cili është përkrahur prej EU-së, e që do të filloj të ndërtohet në pranverë.

Ajo ka folur edhe për sistemimin e mësimdhënësve të cilët kanë ligjëruar për klasat e 13-ta, për çka ka thënë se është duke punuar shumë që t’i sistemoj të gjithë mësimdhënësit në marrëdhënie pune, por ka shtuar se taninuk ka një përgjigje pasi sipas saj, s pari duhet të kryhet regjistrimi i nxënësve, të dihet sa paralele do të jenë në kryeqytet dhe pastaj të dihet se sa mësimdhënës i duhen komunës.

Nagafci ka theksuar se do t’i ndaj nxënësit në paralel në më pak nxënës në mënyrë që të përfshij më shumë mësimdhënës në proces mësimor por ka shtuar se numrin e saktë të tyre do të mund ta dijë vetëm pas regjistrimit të të gjithë nxënësve në shkolla të mesme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat