PDK u bën thirrje të gjitha palëve të respektojnë vendimin

Lajme

PDK u bën thirrje të gjitha palëve të respektojnë vendimin

Më: 22 gusht 2014 Në ora: 15:03

Partia Demokratike e Kosovës e mirëpret vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës në rastin KO119/14, në lidhje me kërkesën e 30 deputetëve për të shqyrtuar kushtetutshmerinë e vendimit për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës në seancën konstituive të datës 17 Korrik 2014.

Partia Demokratike e Kosovës e vlerëson këtë vendim si një akt të vendosjes së kushtetushmerisë në vend dhe si një tregues të fuqishëm se vullneti i qytetarëve të Kosovës, i shprehur në zgjedhjet e përgjithshme të datës 8 Qershor, është suprem dhe i patjetërsueshëm.

“Gjithashtu, u bëjmë thirrje të gjitha palëve që ta respektojnë këtë vendim meritor, në mënyrë që t’i hapet rrugë konstituimit të Kuvendit dhe formimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës. Partia Demokratike e Kosovës, si prijëse e proceseve shtetformuese në Republikën e Kosovës, do të punojë intensivisht që sa më shpejtë të formohen institucionet e reja në Kosovë, në përputhje me mandatin që ka marrë nga qytetarët e Kosovës në zgjedhjet e përgjithshme”, thuhet në komunikatën e PDK-së.

Partia Demokratike e Kosovës thotë se mbetet e përkushtuar që të implementojë Misonin e Ri për zhvillimin ekonomik të Kosovës, hapjen e vendeve të reja të punës dhe procesin e pandalshëm të integrimeve evropiane.

Edhe në mandatin e ardhshëm, fryma e bashkëpunimit dhe e qasjes gjithëpërfshirëse në proceset madhore për vendin tonë, do të jenë bosht i angazhimit dhe filozofisë politike të Partisë Demokratike të Kosovës.

Me këtë rast, Partia Demokratike e Kosovës shpreh mirënjohje për punën profesionale të ekipit të saj, të udhëhequr nga Akademik Arsim Bajrami.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat