Të riatdhesuarit nga Suedia vështirë po socializohen në Kosovë

Lajme

Të riatdhesuarit nga Suedia vështirë po socializohen në Kosovë

Më: 14 prill 2014 Në ora: 08:32

Kryqi i Kuq i Kosovës nëpërmjet projekteve të mirëqenies sociale, po ndihmon të riatdhesuarit nga Suedia. Zyrtarë të Kryqit të Kuq të Kosovës, thonë se deri më tani janë riatdhesuar rreth 150 familje. Ndërsa, disa nga familjarët e kthyer pohojnë se integrimi nuk është i lehtë, siç ishte premtuar nga institucionet e vendit.

Ministria e Punëve të Brendshme, me projekte të ndryshme, po u bënë thirrje qytetarëve të Kosovës që jetojnë jashtë shtetit, të rikthehen në vend, duke u premtuar atyre kushte të favorshme për jetesë.
Lulzim Beqiri, njëri nga të riatdhesuarit nga Suedia thotë se atij i kishin premtuar shtëpi dhe punësim, por ai pohon se ka ndodhur e kundërta. “Pa punë edhe pa shtëpi jam, ashtu... rrugëve... ma paguajnë qiranë e shtëpisë”, tha Beqiri.
Ai thotë se ndihmat që i gëzon çdo muaj, janë ato që i ishin premtuar nga Kryqi i Kuq Suedez në bashkëpunim me atë të Kosovës.
“Më kanë ndihmuar me gjëra ushqimore, veshmbathje...çka e ka thënë Kryqi i Kuq - e ka realizuar”, ka thënë ai.
Antigona Sopjani, koordinatore e mirëqenies sociale në Kryqin e Kuq të Kosovës, tha se përmes programit për riatdhesim që është në bashkëpunim më Kryqin e Kuq Suedez, deri me tani janë evidentuar rreth 150 të raste të të kthyerve.
“Kryqi i Kuq i përkrah vetëm ato familje të cilat referohen nga Kryqi i Kuq Suedez. Ka raste kur kanë qëndruar edhe me 15 vjet në Suedi dhe nuk kanë marrë leje qëndrimi”, tha ajo.
Sipas Sopjanit, disa nga familjet e riatdhesuara kanë probleme serioze shëndetësore dhe Kryqi i Kuq i Kosovës po mundohet që këto familje t’i ndihmojë edhe me medikamente mjekësore.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat