15 vjet nga rënia e Agim Ramadanit

Lajme

15 vjet nga rënia e Agim Ramadanit

Më: 11 prill 2014 Në ora: 07:28

Sot bëhen 15 vite nga rënia e luftëtarit dhe heroit Agim Ramadani. Ndërsa nga një institucion i vendit nuk është lajmëruar nëse do ta vizitojnë vendin e rënies të heroit Ramadani, e po ashtu nuk është lajmëruar se a do të ketë ndonjë akademi përkujtimore për këtë ditë.

Më poshtë po ua sjellim një historik të shkurtër rreth Betejës së Koshares dhe rënies se heroit Agim Ramdani

M'u shterrshin sytë nëse pushoj; lirinë tënde me ëndërrue; mallkue qoftë gjaku im, nëse m'vrasin pa luftue". Këto janë vargjet e poezisë "Liria", që Agim Ramadani pat shkruar në ditët e tij të fundit, para se të vdiste.

Poeti martir u shua 15 vjet më parë (11 prill 1999) bashkë me Sali Çekajn, të dy komandantë në betejën e Koshares e sot heronj. Beteja e Koshares është një ndër më të mëdhatë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe Ushtrisë së RF të Jugosllavisë.

Palët në këtë betejë kanë qenë të pabarabarta, por UÇK-ja ka pasur përparësi strategjike, pasi beteja është zhvilluar në kufirin me Shqipërinë. Pikërisht për këtë arsye, ajo njihet edhe si ngjarja që theu kufirin shqiptaro-shqiptar. Siç raportohej, ushtria jugosllave e kohës ka qenë e ndihmuar edhe nga mercenarët e vullnetarët rusë e sllavë të tjerë, si dhe nga "gabimet" e NATO-s.

Pas një beteje të ashpër për çdo metër katror, UÇK-ja arriti të krijojë avantazhe dhe të dëbojë e të zmbrapsë ushtrinë jugosllave. Për 70 ditë radhazi në luftimet e përditshme, Brigada 131 "Agim Ramadani", nga radhët e veta kishte humbur 140 luftëtarë.

Duke sjellë në vëmendje faktin se beteja ka thyer kufirin Kosovë-Shqipëri, gjë që sipas ish-luftëtarëve ishte një korridor i rëndësishëm për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, nën përkujdesjen e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, vitin e kaluar u organizua manifestimi "Ditët e Shqipes", ku u bënë homazhe dhe u vendosën kurora me lule në Koshare.

Agim Ramadani ka qenë anëtar i Akademisë Europiane të Arteve, ndërsa poezia e piktura kanë qenë pasionet e tij gjatë shkollimit të lartë në Zagreb. Ai është pjesë e antologjive të ndryshme të letërsisë shqipe botuar pas vitit 2000.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat