Hoxhaj: KFOR-i garantues i rrugës euroatlantike të Kosovës

Lajme

Hoxhaj: KFOR-i garantues i rrugës euroatlantike të Kosovës

Më: 6 prill 2014 Në ora: 19:23

Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka zhvilluar të dielën një takim me komandantin e KFOR-it, Salvatore Farina, si dhe ka mbajtur një ligjëratë para një grupi të përfaqësuesve të shoqërisë civile dhe jetës akademike nga Austria, që po vizitojnë Kosovën.
Takimi i ministrit Hoxhaj me komandantin Farina shërbeu për të konfirmuar përkushtimin e KFOR-it dhe të institucioneve të Kosovës në mirëmbajtjen e paqes dhe sigurisë, në kuadër të përpjekjeve të përbashkëta.

Ministri Hoxhaj e falënderoi komandantin e KFOR-it për suksesin e arritur, si dhe siguroi që Qeveria e Kosovës do të vazhdojë të bashkëpunojë ngushtë me KFOR-in në përafrimin e Kosovës drejt familjes euroatlantike

Ministri Hoxhaj theksoi se pas vendimit të Qeverisë për formimin e Forcave të Armatosura të Kosovës, ky tranzicion nga FSK në FAK, do të jetë proces gradual dhe si i tillë nuk do të interferojë në relacionet me prezencën e NATO-s në Kosovë. “Vet reduktimi i forcave të KFOR-it dhe marrja e përgjegjësisë nga Policia e Kosovës për të kontrolluar kufirin e gjelbër si dhe trashëgiminë kulturore dhe fetare në Kosovë, tregon për përpjekjet e suksesshme në këtë drejtim”, theksoi ministri Hoxhaj.

Komandanti i KFOR-it, Salvatore Farina, shprehu përkushtimin e KFOR-it për të vazhduar angazhimin për ofrimin e ambientit të sigurt dhe stabilitetit të përgjithshëm në Kosovë.

Ministri Hoxhaj dhe komandanti Farina u dakorduan që të vazhdojnë konsultimet politike edhe në të ardhmen.
Ndërkaq, gjatë ligjëratës para përfaqësuesve të shoqërisë civile dhe jetës akademike nga Austria që po vizitojnë Kosovën, ministri Enver Hoxhaj ka prezantuar të arriturat e gjithanshme, me theks të veçantë në stabilitetin politik që është konsoliduar në Kosovë, që nga shpallja e pavarësisë. Ai veçoi progresin e Kosovës në fuqizimin e shtetësisë dhe subjektivitetit ndërkombëtar, duke përmendur hapat konkret dhe avancimin e vazhdueshëm të proceseve integruese euroatlantike të Republikës së Kosovës.

Ministri Hoxhaj po ashtu u ndal në zhvillimin e brendshëm të Kosovës, duke theksuar progresin e vazhdueshëm në forcimin e sigurisë dhe zhvillimit ekonomik brenda vendit. Hoxhaj tha se gjatë kësaj periudhe Kosova është bërë shembulli më i mirë i shtetndërtimit, i stabilitetit politik dhe qeverisjes demokratike në rajon.

“Brenda gjashtë vjetëve kemi ndërtuar institucione demokratike. Kemi një Kushtetutë moderne që është ndërtuar mbi vlera evropiane”, tha ndër të tjera Hoxhaj, duke shprehur mirënjohjen e qytetarëve dhe Qeverisë së Kosovës për rolin që ka luajtur KFOR-i dhe EULEX-i në Kosovë, gjatë kësaj periudhe.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat