Prishtina e Tirana me një plan bashkëpunimi

Lajme

Prishtina e Tirana me një plan bashkëpunimi

Më: 11 dhjetor 2013 Në ora: 20:21

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, gjatë një takimi me Kryetarin e ri të komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti ka shprehur angazhimin e tij dhe të Bashkisë që ai drejton, për të thelluar e zgjeruar më tej bashkëpunimin mes Tiranës dhe Prishtinës.
Gjatë takimit është bërë e ditur se mes dy qyteteve pritet të hartohet një plan konkret dhe i detajuar bashkëpunimi në fushën ekonomike, kulturore, sociale etj.
Basha dhe Ahmeti kanë vlerësuar si shumë të rëndësishme bashkëpunimin në kuadër të Asamblesë së të gjitha Njësive Vendore shqiptare, duke theksuar se kështu do të kontribuohet në vendosjen e një bashkëpunimi më të ngushtë mes shqiptarëve kudo ku ata jetojnë.
Sipas Bashës, zgjedhjet e realizuara për herë të parë në Republikën e Kosovës, ishin një fitore e madhe për demokracinë dhe për aspiratën e këtij populli, për të ecur të sigurt drejt anëtarësimit me të drejta të plota në institucionet ndërkombëtare si OKB, NATO, BE, etj.
Ai ka theksuar se zgjedhjet vendore, dëshmuan që shteti i Kosovës, me të gjithë tërësinë territoriale të saj po forcon çdo ditë pozitat në arenën ndërkombëtare, si një shtet i konsoliduar e demokratik.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat