​Sveçla: Besëlidhja e Lezhës shërbeu si frymëzim për ngjarje e procese të mëdha

Lajme

​Sveçla: Besëlidhja e Lezhës shërbeu si frymëzim për ngjarje e procese të mëdha

Më: 2 mars 2024 Në ora: 19:10
Foto ilustrim

Drejtues të institucioneve të Kosovës e Shqipërisë me një varg aktivitetesh shënuan sot 580-vjetorin e Kuvendit të Lezhës.

Me këtë rast, ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla tha se Besëlidhja e Lezhës shërbeu si frymëzim për ngjarje e procese të mëdha, qe nga Lidhja e Prizrenit te shpallja e pavarësisë së Shqipërisë, nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës te shpallja e pavarësisë së Kosovës.

“Kuvendi i 2 marsit 1444, përtej organizimit e mobilizimit që u kurorëzua me aleancën e parë politiko-ushtarake të shqiptarëve, nën udhëheqjen e të madhit Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, ishte mesazh bashkimi për kombin. Nëpër shekuj, ky mesazh, përveç se nevojë, nuk ka reshtur asnjëherë së ekzistuari edhe si dëshirë. Është obligim i yni, në kohën e sotme, të bëhet detyrë dhe qëllim. Urime kjo datë historike, ndër më të rëndësishmet e kombit tonë”, ka shkruar ai.

Në këto aktivitete morën pjesë ministra e deputetë, kryetarë të bashkive dhe komunave.

Kuvendi i Lezhës 580 vjet më parë konsiderohet si një nga organizimet më të suksesshme në historinë e popullit shqiptar.

Nën drejtimin e kryetrimit shqiptar Gjergj Kastrioti-Skënderbeut, më 2 mars 1444, në Kuvendin e Lezhës u mblodhën Gjergj Arianit Komneni, Andre Topia me dy bijtë Komnenin dhe Muzakën dhe nipin Tanushin; Lekë Zaharia; Nikollë dhe Pal Dukagjini, Lekë dhe Pjetër Dushmani; Pjetër Spani, Stefan Gjurashi etj.

Kuvendi i Lezhës është monumentalizuar edhe në veprën murale "Kuvendi i Lexhës", i punuar nga artisti Bashkim Zano Ahmeti, që ishte përuruar më 1 nëntor 1982, në Muzeun e Skënderbeut në Krujë. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat