“I vdekuri” nga Mitrovica lajmërohet i gjallë pas 24 vitesh, ishte rrëmbyer gjatë luftës

Lajme

“I vdekuri” nga Mitrovica lajmërohet i gjallë pas 24 vitesh, ishte rrëmbyer gjatë luftës

Më: 8 dhjetor 2023 Në ora: 09:43
Abedin Avdiu

Ka vite që lufta në Kosovë ka kaluar, por plagët për shumë njerëz të pagjetur ende është e hapur.

Kjo është një histori sa e vërtetë, aq e pabesueshme. Abedin Avdiun e gjeti 13 vjeç lufta në Kosovë. Në atë kohë së bashku me 20 fëmijë të tjerë u rrëmbye. Nga ajo ditë familja e dinte të vdekur.

Duket si një skenar filmi, por kjo është historia e 38-vjeçarit Abedin Avdiu, i cili u shfaq në ekran 24 vjet pas rrëmbimit, ndërsa kërkonte familjen e tij.

Falë emisionit “Pa Gjurmë’’, familja Avdiu mësoi lajmin se djali i vogël, të cilin ata e dinin të vrarë, jetonte shëndosh e mirë.

Në një lidhje direkte nga Italia, Abedin Avdiu u surprizua nga moderatorja e programit Odeta Dume, e cila transmetoi videon e babait të tij, Ramadan Avdiu. 38-vjeçari i mbytur në lot nuk mund ta besonte se më në fund kishte gjetur familjen.

I rrëmbyer në moshën 13-vjeçare, Abedin Avdiu bashkë me 20 fëmijë të tjerë u dërguan në Itali nga rrëmbyesit, të cilët i detyronin të vidhnin. Fati donte që vogëlushi t’u shpëtonte rrrëmbyesve e të denonconte në polici autorët.

Për vite të tëra u rrit në një jetimore në Itali. Vite më vonë vendosi të kërkojë familjen biologjike. Bashkimi i shumëpritur mes familjes Avdiu dhe djalit të tyre Abedinit pas 24 vjetësh ka emocionuar jo vetëm protagonistët e kësaj ngjarjeje, por të gjithëve ne. Kjo është një histori shprese dhe frymëzimi për këdo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat