Anulohet gjykimi ndaj zyrtarit korrektues i akuzuar për marrje ryshfeti

Lajme

Anulohet gjykimi ndaj zyrtarit korrektues i akuzuar për marrje ryshfeti

Më: 7 dhjetor 2023 Në ora: 10:56
Foto ilustrim

Për shkak se kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Fatime Dërmaku ishte e angazhuar në Këshillin Gjyqësor të Kosovës, të enjten është anuluar gjykimi në rastin ku Mentor Avdylaj po akuzohet për marrje ryshfeti.

Në këtë rast, Avdylaj në cilësinë e oficerit të Shërbimit Korrektues në Burgun e Dubravës, po akuzohet se kishte marrë 2 mijë euro ryshfet me qëllim të lirimit të parakohshëm të një personi nga burgu, që ishte në vuajtje të dënimit, raporton “Betimi për Drejtësi”,

Po ashtu, për ndihmë në kryerjen e veprës penale të marrjes së ryshfetit, akuzohej edhe Astrit Lajqi, i cili tani është në cilësi të dëshmitarit bashkëpunues raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe seanca e 22 shtatorit 2023 ishte shtyrë për shkak të mungesës së mbrojtësit të akuzuarit Abdylaj, avokatit Fitim Malokaj. Seanca e 4 majit 2023 ishte shtyrë për shkak të mungesës së dëshmitarit Dardan Morina. Kurse, seanca e 10 korrikut 2023, ishte anuluar për shkak se kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Fatime Dërmaku bashkë me gjyqtarët tjerë, ishin në një takim me përfaqësues të Ambasadës Amerikane.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 12 dhjetor 2018, ka ngritur aktakuzë ndaj Mentor Avdylajt për veprën penale “Marrje e ryshfetit” dhe Astrit Lajqit për ndihmë në kryerjen e veprës penale të marrjes së ryshfetit.

Sipas aktakuzës, Avdylaj më 12 mars 2018, në cilësinë e oficerit të Shërbimit Korrektues në zyrën për lirim me kusht në Qendrën e Shërbimit Korrektues në Dubravë, me dashje dhe në mënyrë të kundërligjshme, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore kishte pranuar ryshfet përmes të akuzuarit Lajqi, nga i dëmtuari B.H.

Në aktakuzë, thuhet se Avdylaj 2 mijë euro ryshfet i kishte pranuar nga Lajqi, në pikën e karburantit “Shala Petrol”, në hyrje të Pejës, me qëllim të lirimit të Shpejtim Hotit parakohshëm nga burgu, i cili ishte në vuajtje të dënimit në Qendrën Korrektuese në Dubravë.

Ndërsa, i akuzuari Lajqi thuhet se kishte marrë 2 mijë euro ryshfet nga B.H., në prani të dëshmitarit Sh.Q dhe ia kishte dërguar Avdylajt.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat