Vuçiq ndodhej në ambasadën e Rusisë kur 3 policët e Kosovës u kidnapuan nga forcat serbe

Lajme

Vuçiq ndodhej në ambasadën e Rusisë kur 3 policët e Kosovës u kidnapuan nga forcat serbe

Më: 14 qershor 2023 Në ora: 15:58
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç

Mediumi serb “Nova.rs” raporton se Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në momentin kur brenda territorit të Kosovës u kidnapuan tre pjesëtarë të Policisë së Kosovës nga forcat serbe, ndodhej në ambasadën e Rusisë në Beograd.

Sipas këtij mediumi, kreu i shtetit serb po merrte pjesë në pritjen e organizuar nga ambasada ruse në Serbi me rastin e Ditës së Rusisë, kur u njoftua me urgjencë për kidnapimin e policëve kosovarë, që Serbia po i konsideron si arrestim.

Serbia dhe Rusia ruajnë marrëdhënie të shkëlqyera mesa vete dhe të dyja janë kundërshtaret më të mëdha të shtetit të Kosovës.

Pas marrjes së informacionit, raporton Nova.rs, presidenti serb Vuçiq u drejtua për në Presidencë.

Sipas mediave serbe, të tre policët e kidnapuar ishin të armatosur me armë automatike dhe me pajisje të plota, GPS, harta dhe pajisje të tjera.

Mediat serbe pretendojnë se rasti ndodhi brenda territorit të Serbisë. Nga ana tjetër, Policia e Kosovës ka njoftuar se në thellësi të territorit të Republikës së Kosovës, në zonën kufitare në veri të vendit dyshohet se janë kidnapuar tre zyrtarë kufitar patrullues.

“Policia e Kosovës (PK), në këtë rast njësia policore patrulluese e kufirit ka qenë me detyre në pikë statike në vendin e quajtur Tresave/Bare, thellë brenda në territorin e Republikës së Kosovës, për të parandaluar shfrytëzimin e rrugëve ilegale, të cilat shfrytëzoheshin nga grupet kriminale për kalim ilegal dhe kontrabandë. Sot, në mesditë nga njësiti policor i cili ishte në përbërje prej tre zyrtarëve kufitar, kanë njoftuar se në afërsi të pikës statike kanë vërejtur person/a të maskuar dhe të armatosur, me këtë rast në drejtim të kësaj pike në asistencë janë nisur njësi shtesë të PK-së”, ka njoftuar policia.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat