Lushaku-Sadriu: Vetëmenaxhimi është më shumë se Asociacioni

Lajme

Lushaku-Sadriu: Vetëmenaxhimi është më shumë se Asociacioni

Më: 8 maj 2023 Në ora: 22:17
Anëtarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jehona Lushaku-Sadriu

Anëtarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jehona Lushaku-Sadriu ka folur rreth Asociacionit të komunave me shumicë serbe.  

Sipas saj, parimet e Lëvizjes Vetëvendosje për Asociacionin kanë rënë në tokë.

“Ka një diskrepancë totale në mes të asaj që pajtohet LVV në procesin e dialogut për të gjitha dakordimet e bëra por ka edhe një diskurs publik karshi elektoratit shumë të kujdesshëm dhe që luan me ndjenjat e qytetarëve duke mos thënë saktësisht atë që është arritur”, tha Lushaku-Sadriu në Debat Plus.

Lushaku-Sadriu tha se vetëmenaxhimi është më shumë sesa Asociacioni.

“Ka pasur principe, parime, që i ka vënë si parakushte, ka thënë që do të jetë prioriteti i fundit, që kërkon njohje reciproke, marrëveshje finale, të cilat kanë rënë në tokë duke u dakorduar për një marrëveshje që qysh në premabulë pranon të evitojë të kaluarën, të tejkalojë të kaluarën, dhe kjo ka qenë një kompromis i jashtëzakonshëm që nuk është bërë në marrëveshjet e tjera dhe pikë e së cilës për herë të parë prezantohet një koncept i ri që është vetëmenaxhimi që në esencë është më shumë se Asociacioni”, është shprehur ajo.

Vetëmenaxhimi sipas saj është i padefinuar dhe përfshinë të gjithë komunitetin serb “ që mund të jetë përtej komunave serbe”.

Sa i përket deklaratave të kryeministrit të vendit, Albin Kurti, dhe kryeparlamentari Glauk Konjufca, Lushaku ka thënë se të dy janë të koordinuar në kuptimin e roleve.

“Njëri i flet elektoratit të vet për ta mbajtur gjallë dëshirën për të besuar në diçka që këto marrëveshje janë vërtetë në linjat e dëshirës të elektoratit të VV-së dhe në anën tjetër kemi një kryeministër që herë thotë se është arritur Asociacioni me këtë marrëveshje është siguruar impelmentimi e herë thotë nuk ka Asociacion aty, insiston që të përdoret termi vetëmenaxhim sepse është më lehtë i arsyetueshëm”.

Siç ka thënë ajo, krejt kjo krijon një huti te publiku.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat