Edhe pse me shumë vonesë, Kosova gjatë këtij muaji ka gjasa që përfundimisht t’i ketë rezervat e para shtetërore. Për këtë proces ekziston ligji i miratuar që në vitin 2010, por asnjëherë nuk ka arritur të jetë i zbatueshëm.
Ministrja e Tregtisë dhe e Industrisë, Mimoza Kusari-Lila, e cila ka ndarë më shumë se 400 mijë euro për rezervat e para shtetërore, thotë se ato do të mbahen tek operatorët privatë, por do të monitorohen nga Departamenti i rezervave shtetërore.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu mirëpret një hap të tillë, pavarësisht se, sipas tij, një gjë e tillë ka mundur shumë më herët të bëhet.
Një nga fushat ku munden Rezervat Shtetërore të kenë ndikim është edhe ajo e përdorimit të tyre në rast të çrregullimeve në treg.
Me këtë ligj specifikohen edhe cilat mallra do të duhet të futen në kategorinë e Rezervave Shtetërore.
Ligji e përcakton edhe dënimet për operatorët ekonomikë, të cilët bëjnë veprime të kundërligjshme, e që sillen nga 1 mijë euro deri në 30 mijë euro.