A u harrua pronto-mafia? / Sa të burgosur janë në Kosovë nga ky klan?!

Lajme

A u harrua pronto-mafia? / Sa të burgosur janë në Kosovë nga ky klan?!

Nga: Idriz Morina Më: 27 shtator 2022 Në ora: 19:27
Foto ilustrim Policia në bastisje

Një nga thirrjet e shumta, në mesin e të cilave ishte edhe ajo e presidentes së tanishme, Vjosa Osmanit, “shqiptarë duhet ta përbuzni klanin PRONTO dhe të bashkëpunëtorëve të tyre”, sikur ka nisur të harrohet.

Jo për ta dëgjuar fjalën PRONTO, e cila qe kthyer në funksion të sinonimisë së krimit të organizuar dhe korrupsionit, nepotizmit dhe arbitraritetit ligjor, por për ta shënjestruar, nga drejtësia, për ta çuar vendin drejt zbardhjes së krimeve, kërkimit të llogarisë për korrupsionin dhe për krimin e organizuar.

Teksa ndodheshim në fushatë zgjedhore tri vite më parë, Vjosa Osmani e kishte lëshuar si kushtrim, thirrjen që e cituam më sipër.

Të paguximshëm

Ndërsa, pak ditë më parë, pas një kohe të gjatë po ashtu, kryeministri Albin Kurti, kreut të sindikatave iu atribuuar si përfaqësues të PAN-it, një akronim i tri partive, PDK, AAK, NISMA, që e patën formuar qeverinë pesë vite më parë, dhe që liderët e të tri partive dyshoheshin gjerësisht për krim të organizuar dhe korrupsion.

Por, një sistem i getoizuar drejtësie nuk po jep shumë shpresa, që “PRONTO” dhe “PAN-i” të ndëshkohen. Në këtë kontekst ‘vetingu’ në drejtësi dhe reformimi i këtij sistemi janë të domosdoshëm, por pa rrëshqitur në interesa të grupimeve të tjera.

Ndoshta, do të duhej që partitë në pushtet, pavarësisht kritikave duhet ta rikthejnë vëmendjen e shoqërisë, tek këto struktura, që e kanë vrarë lirinë e të menduarit dhe të besuarit dinjitetshëm.

Shqiptarët ende kanë frikë të madhe, t’i denoncojnë dhe të dëshmojnë për krimet që i kanë kryer këto struktura, duke ju shkaktuar telashe të mëdha!

Por, kjo frikë duhet të vritet, dhe të gjithë të marrin guximin e të rrëfejnë, të dëshmojnë për atë, çfarë i kanë bërë Kosovës, shqiptarëve, dhe vetë shtetit.

Ata ishin grup mbi shtetin, grup mbi ligjet dhe Kushtetutën, mbi administratën civile dhe drejtësinë. Ato gjëra që i planifikonin ata, ndodhnin, ndërsa ne me gjithë kritikat mund të ishim vetëm vëzhgues, madje të parëndësishëm.

Në një ambient, ku mediat, shumica janë jo vetëm të kontrolluara hapur nga po ato grupe, PRONTO dhe PAN, ku madje ka shtrirë apo e ka ndërtuar rrjetën Serbia, është shumë e vështirë që të thyhet ‘mburoja’ e grupeve kriminale, e ndërtuar me dekada, me shumë përkushtim dhe me investim, madje edhe të Serbisë, në forma të ndryshme.

Këto strukturime i dhanë lirinë dhe mundësinë Serbisë, që ta diskreditonte Kosovën ngado dhe kudo, duke u përpjekur t’ia jep imazhin e një shteti të dështuar, dhe të një vendi e një kombi të dështuar, nën akuzën e përhershme serbe: “Shqiptarët nuk dinë të mbajnë shtet”!

Kjo ka qenë një nga sukseset më të mëdha të Serbisë, e cila ishte e humbur dhe e gjunjëzuara para diplomacisë botërore, përballë presidentit Rugova.

Por, kundërshtarët e Rugovës, veçmas me trazirat e 2004-ës, ia hapën dyert e suksesit Serbisë, aq sa në bisedimet në Vjen, nuk kishte kërkesë, që nuk i përmbushej serbëve.

Kjo frymë do të rikthehej edhe një bisedimet në Bruksel. Serbia më në fund e kishte gjetur ‘kodin’ e thyerjes së shqiptarëve. Ajo po i thyente shqiptarët, interesat nacionale nëpërmjet vetë shqiptarëve!

Prandaj, hetimi i veçantë, për korrupsion dhe çështje të tjera i klaneve Pronto dhe PAN, është i domosdoshëm.

Trysni nga institucionet

Institucionet shtetërore, përfshirë presidenten Osmani nëpërmjet inkurajimit, Kuvendi nëpërmjet ngritjes së komisioneve hetimore, Qeveria nëpërmjet dorëzimit të dosjeve, duhet ta shtyjnë dhe ushtrojnë trysninë e lejuar, që institucionet e hetimit, të kryejnë detyrat, dhe që këto t’ia vënë përsipër gjyqësorit, që t’i nxjerrë para drejtësisë.

Lufta kundër këtyre grupimeve ishte shpresa për ndryshime, dhe po ashtu ai ishte zotim para votuesve, të cilët ende nuk po shohin të merret në përgjegjësi askush nga klani Pronto, nga tenderomanët, ata që u pasuruan duke grabitur pasuritë e shtetit, dhe duke i shpërndarë ato në qindra firma të tyre, nëpërmjet njerëzve të besueshëm të tyre, por që njëherazi janë edhe përfitues.

Deri më tash, rasti më i madh i hetuar është “Brezovica”, por as ai nuk ka arritur në qendër të problemit, në thelb të çështjes.

Jo rastësisht Stejt Departamenti amerikan, kërkoi ç‘rrënjosjen e korrupsionit në Ballkanin Perëndimor!

Pra, për të arritur deri tek ky mesazh dhe kërkesë amerikane, duket se jemi tepër larg!

Sa të burgosur janë në Kosovë nga ky klan?!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat