Gjenocidistët Mlladiq e Karaxhiq po “kalben” në burg

Lajme

Gjenocidistët Mlladiq e Karaxhiq po “kalben” në burg

Më: 11 korrik 2022 Në ora: 21:29
Mlladiq e Karaxhiq

Familjarët u mungojnë qe 27 vjet, por megjithatë, nënat e gratë e Srebrenicës kanë një ngushëllim.

Ata që urdhëruan ekzekutimin e burrave e djemve të tyre, po kalben prapa grilave.

Kasapi i Bosnjës, siç njihet ndryshe Ratko Mlladiq, do të rrijë në qeli derisa të vdesë, pasi po e vuan dënimin e përjetshëm në një burg të Mbretërisë së Bashkuar.

Ish-gjenerali tashmë 80-vjeçar u dërgua atje pasi Tribunali i Hagës, më 2021, ia konfirmoi fajësinë për  vrasjen e rreth tetëmijë burrave dhe djemve myslimanë në Srebrenicë, por dhe për krime të tjera të kryera në Bosnje.

Ky iu bashkua në vuajtje ish-Presidentit serb të Bosnjës, Radovan Karaxhiqit, që po ashtu është dënuar përjetësisht me burgim, pasi u gjet fajtor për organizimin e gjakderdhjes etnike në Bosnjë. Ai u arrestua më 2008, pas 12 vjet arratie, ndërsa aktgjykimi final iu shqiptua më 2019.

Karaxhiq e Mlladiq nuk e pranuan fajësinë. Por, e penduar për veprimet e saja në lidhje me luftën e Bosnjës u shfaq Biljana Pllavshiq, një nga figurat kryesore politike serbe të Bosnjës gjatë asaj kohe.

“Në mendjen time ne ishim në një luftë për mbijetesën tonë dhe se në këtë luftë, komuniteti ndërkombëtar ishte armiku ynë, dhe kështu unë thjesht i mohova këto akuza, duke mos bërë asnjë përpjekje për të hetuar. Unë mbeta e sigurt në besimin tim se serbët nuk ishin të aftë për akte të tilla”, deklaroi Biljana Pllavshiq, e akuzuar për krime.

Pranimi i fajësisë bëri që ajo të mos akuzohet për gjenocid dhe të dënohet vetëm me 11 vjet burg, të cilin tashmë e ka kryer.

 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat