Lufta në Europë 2.0

Lajme

Lufta në Europë 2.0

Më: 9 mars 2022 Në ora: 08:53
Rrethimi i Sarajevës 1994. një banor me djalin kërkon të gjejë strehë nga plumbat e snajperistëve

A lejon historia e luftërave jugosllave parashikime për Ukrainën? A mund të nxirren mësime? Paralelet dhe dallimet - një krahasim.

Luftë në Evropë! Kjo thirrje tmerri jehoi një herë pak më shumë se para tridhjetë vjetësh: Më 27 qershor 1991 tanket e Ushtrisë Popullore Jugosllave kaluan në pikat kufitare të vendit me Italinë dhe Austrinë. Qëllimi: pengimi i shkëputjes së Republikës Jugosllave të Sllovenisë. A të lejon historia e luftërave jugosllave të bësh parashikime për Ukrainën? Ku janë paralelet, ku janë dallimet? A mund të nxirren mësime?

Qëllimet e luftës: Rusia donte t´ia "priste kokën" shpejt Ukrainës dhe të vendoste një regjim kukull. Përpjekja dështoi. Në vend të kësaj ushtria ruse tani po zhvillon luftë në të gjithë vendin. Edhe atëherë Jugosllavia e ndryshoi brenda pak ditësh dhe javësh qëllimin e luftës. Fillimisht ushtria u përpoq të mbante të bashkuar me forcë shtetin federal. Kur kjo nuk u arrit, në Kroaci dhe pak më vonë në Bosnje filloi një luftë për trashëgiminë territoriale të federatës në shkatërrim. Në fund, në vitin 1998/99, një "ushtri çlirimtare” luftoi për pavarësinë e Kosovës. Synimet ndryshuan, lufta mbeti.

Mësimi: Nëse qëllimi nuk arrihet, as paqja nuk vendoset një kohë të gjatë.

Kushtet kornizë: Asnjë fuqi e madhe, madje as Rusia, nuk kishte interes për shpërbërjen me luftë të Jugosllavisë, përkundrazi. Fuqitë i bashkërenduan mes tyre përpjekjet për paqen, të cilat nuk kishin sjellë rezultat për një kohë të gjatë. Në Këshillin e Sigurimit të OKB-së diskutohej fort për detajet, por vazhdimisht arriheshin rezoluta të përbashkëta. Ndërsa sot OKB-ja është e paralizuar nga vetoja ruse. Fuqia e re botërore, Kina, nuk i bashkohet dënimit të agresionit rus. Moska ka armë bërthamore dhe kërcënon me to. Ndryshe nga 30 vjet më parë paqja botërore është në rrezik.

Image
Qytetarët largohennga qyteti Sumy pas njoftimit për armëpushim, 08.03.2022

Mësimi: Paralelet sipërfaqësore si ajo midis Putinit dhe një Sllobodan Millosheviçi, të cilit i është dashur kundërvënë ushtarakisht në kohën e duhur, janë çoroditëse.

Strategjitë: Në Bosnje, fillimisht pala serbe dhe më pas edhe pala kroate u përpoqën të krijonin territore "etnikisht të pastra". Nga ana tjetër në Ukrainë ushtria ruse synon të nënshtrojë të gjithë vendin dhe të pushtojë të paktën një pjesë të madhe të tij. Çështja është shteti, jo populli. "Spastrimi etnik” nuk është planifikuar. Në Ukrainë, e cila është dymbëdhjetë herë më e madhe se Bosnja, ai as nuk do të ishte i realizueshëm.

Mësimi: Pranoni refugjatë! Askush nuk duhet të ketë frikë se ata do të qëndrojnë përgjithmonë.

Rrethimi: Kryeqyteti i Bosnjës, Sarajeva, qëndroi i rrethuar nga prilli 1992 deri në shtator 1995. Qëllimi nuk ishte pushtimi dhe dëbimi i popullsisë si në disa qytete të tjera më të vogla të Bosnjës. Qyteti shërbente më shumë si peng ose si mjet këmbimi për shkëmbimet e mëvonshme territoriale. Për këtë qëllim Sarajeva nuk duhej të vdiste nga uria ose të shkëputej plotësisht nga rryma elektrike dhe uji. Pas dy muajsh bllokimi të plotë qyteti u furnizua përmes një ure ajrore në mënyrë të improvizuar dhe të parregullt.

Nën rrethim janë edhe një numër i qyteteve ukrainase, të cilat shpesh janë shumë më të mëdha se Sarajeva – Mariupol, për shembull, me një popullsi të ngjashme me atë të kryeqytetit boshnjak, është i dhjeti për nga madhësia në vend. Ndryshe nga Sarajeva qytetet e Ukrainës duhet të pushtohen. Kjo mund të nënkuptojë, që situata atje mund të bëhet edhe më e keqe, nga sa ka qenë atëherë - pikërisht për të imponuar dorëzimin.

Image
Ukrainë

Mësimi: Më të rëndësishëm se çdo gjë tjetër janë korridoret e furnizimit.

Evakuimet: Nëse situata bëhet e padurueshme, mungojnë ilaçet, siç ndodh që tani në Mariupol dhe Kharkov, ndërpritet energjia elektrike dhe uji, mungojnë në fund edhe ushqimet atëherë thirrjet për rrugë shpëtimi bëhen më të forta. Organizatat humanitare mund të ndihmojnë. Por: "Gjatë evakuimeve nuk ndjehesh kurrë mirë, sepse me këtë de facto ndërhyn taktikisht në ngjarjet e luftës", thotë Hansjörg Strohmeyer, drejtor i strategjisë në Zyrën e OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA).

Pasi popullsia civile ta ketë lënë një qytet, ushtria sulmuese mund ta pushtojë atë lehtë. "Për këtë kemi një mendim të qartë," thotë Strohmeyer: "Ne evakuojmë, vetëm kur të dyja palët dhe njerëzit vetë e duan një gjë të tillë. Dhe pastaj ne i mbështesim ata." Nuk është për t`u çuditur, që evakuimi i paralajmëruar nga Mariupol në bregun e Detit të Zi nuk u realizua gjatë fundjavës së kaluar.

Sipas të dhënave ukrainase 200.000 nga rreth 440.000 banorët e qytetit duhet të largoheshin. "Ky është numër i madh," thotë Stromeyer, "jashtëzakonisht e ndërlikuar nga ana logjistike." Po të duash t`i evakuosh të gjithë menjëherë, "ndoshta do të duhej një armëpushim i gjatë, ndoshta dyjavor". Kështu që do të provohet në transhe të ndryshme. "Për gjithçka duhet të bihet dakord deri në detajet më të vogla. Sa kohë i duhet të udhëtojë një kolone nga Mariupoli? Dhe ku do të shkojnë njerëzit? Duhet kohë - dhe kërkon besim."

Mësimi: Megjithë numrin e madh të refugjatëve, shumica e njerëzve do të qëndrojnë.

Mbrojtja e popullatës civile: Pas muajsh të luftës, fillimisht në Kroaci dhe më pas në Bosnje, OKB-ja stacionoi në vend një trupë të helmetave të kaltra. Ajo mbështeste infrastrukturën në vend, mbante rrugët të hapura, vëzhgonte gjendjen në fushën e betejës dhe ishte në gjendje të paralajmëronte. Por ajo nuk mund të mbronte popullatën civile nga granatimet dhe dëbimet. Në Ukrainë një forcë e tillë është e vështirë të imagjinohet. Nga pikëpamja humanitare drejtori i OCHA Strohmeyer nuk e konsideron atë të disfavorshme.

Image
Shkatërrime në Irpin

Pa një forcë paqeruajtëse, e cila mund të bëhet lehtësisht objekt i manipulimit taktik nga palët ndërluftuese, organizatat e ndihmës mund të veprojnë më bindshëm në mënyrë neutrale. "Është a-ja dhe o-ja e punës humanitare që të shkëmbehen informacione shumë të detajuara me ushtritë e përfshira," thotë Hansjörg Strohmeyer. "Kur njoftohet se vjen një kolonë, ka një dritare të saktë kohore, e cila mund të duhet të shtyhet, por më pas respektohet." Kjo është më e lehtë në Ukrainë, nga fakti se përballë njëra-tjetrës gjenden dy ushtri profesioniste, jo banda vullnetarësh siç ndodh shpesh në Afrikë apo Siri.

Mësimi: Më i rëndësishëm se presioni ushtarak ndaj Rusisë është presioni moral.

Politika dhe opinioni publik botëror: Në Bosnjë Këshilli i Sigurimit i OKB-së krijoi një zonë ndalim-fluturimi, siç e kërkon tani edhe qeveria ukrainase. Arsyeja nuk ishte se sulmet ajrore do të luanin një rol aq të madh në luftë. Zonat e ndaluara për fluturime tradicionalisht më shumë shihen si fillimi i një ndërhyrjeje ushtarake.

Të ndaluara nuk janë vetëm fluturimet, por edhe granatimet nga toka në hapësirën ajrore – të cilat nga ana tjetër sjellin me vete bombardime nga ajri kundër pozicioneve në tokë. Më të efektshme se ndërhyrjet e vërteta në luftërat jugosllave të viteve 1990 ishin debatet rreth tyre.Çdo kërcënim për ndërhyrje ushtarake kundër sulmuesve ishte një nxitje për palën mbrojtëse, që ta përshkallëzonte luftën dhe ta bënte më të mundshme një ndërhyrje të tillë.

Mësimi: Kush do të parandalojë katastrofën botërore, duhet të ketë edhe guximin, t'u thotë JO të qartë kërkesave të palës së sulmuar./DW

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat