Çoviq: Prishtina do të “sulmojë” Valaçin dhe Ujmanin

Lajme

Çoviq: Prishtina do të “sulmojë” Valaçin dhe Ujmanin

Më: 19 nëntor 2021 Në ora: 14:38
Nebojsha Çoviq

Ish-zëvendëskryeministri i Qeverisë së Serbisë dhe ish-kryetari i qendrës koordinuese serbe për Kosovë, Nebojsha Çoviq, beson se masat e reja që ka paralajmëruar Kosova për produktet e ëmbëlsirave nga Serbia janë “një provokim i ri politik”, raporton televizioni pro qeveritar serb TV Pink.

“Është një vazhdim klasik i provokimeve të tyre që nga taksat. Edhe ky është një provokim, politik natyrisht, për të provokuar sërish tensione, sepse kështu funksionojnë. Sa herë që duhet të zbatojnë diçka që kanë nënshkruar dhe për të cilën komuniteti ndërkombëtar është garantuesi, ata bëjnë një situatë problematike, dhe pastaj ndjekin politikën e aktit të kryer dhe ka vite që funksionojnë në atë mënyrë”, ka pretenduar Çoviq.

Ai thotë se “asnjë nga 40 marrëveshjet nuk është zbatuar”.

“Lajçak është shumë ambicioz dhe padyshim që këto ambicie dëshiron të përmbushë nëpërmes të shpinës sonë. Le t’i zbatojnë marrëveshjet, dhe shkojmë më tutje. Asociacioni i komunave me shumicë serbe duhet të formohet në krahinën tonë jugore, ndërsa ata nuk do ta thonë këtë. Kjo po tolerohet , siç po tolerohet edhe shkelja e rezolutave dhe marrëveshjeve të tjera”, ka pretenduar Çoviq.

Ai përmendi se çështja e Kosovës “nuk është më në problemet kyçe për Shtetet e Bashkuara”.

“Imoraliteti klasik është se tani kemi ushtarë kroatë dhe disa nga rajoni në Kosovë dhe ky është një provokim. Unë mendoj se pala jonë po amortizon mirë tani për tani. Ata nuk do të heqin dorë nga sulmi në Valaq dhe në trafo stacionin e Ujmanit”, ka thënë Çoviq.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat