Politikani serb viziton varrezat e Mejës, hidhëron keq disa bashkëkombas të tij

Lajme

Politikani serb viziton varrezat e Mejës, hidhëron keq disa bashkëkombas të tij

Më: 2 korrik 2021 Në ora: 15:47
Nenad Çanak

Politikani serb dhe ish kryetari i Kuvendit të Vojvodinës, Nenad Çanak, ka nxitur reagime në Serbi e Kosovë, pas postimit të një fotografie me rastin e vizitës që u bëri varrezave në Mejë të Gjakovës.

“Të gjitha nënat në botë qajnë për fëmijët e tyre në gjuhën e njëjtë”, ka shkruar ai, në Twitter.

Çanak, që ka qenë edhe deputet në parlamentin shtetëror në Beograd, është njëri nga politikanët e rrallë në Serbi që viziton një vend me viktima shqiptare të luftës, të vrarë nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit, më 1999.

Image

Masakra e Mejës është më masivja, më tragjikja dhe më e dhimbshmja në Kosovë. Më tepër se 370 burra e djem janë vrarë në këtë fshat të Gjakovës, më 27 prill 1999.

Postimi i Çanak ka nxitur reagime jo të pakta te serbët. Disa e kanë mbështetur, e ndonjë tjetër e ka kritikuar.

“Keni mundur ta vizitoni edhe ndonjë vend serb”, i ka shkruar një dikush me llogarinë Stefan.

Image

Përgjigja e politikanit nga Vojvodina ka qenë epike.

“Graçanicën, për shembull? Etno shtëpinë? Pyetini njerëzit a kam qenë atje”, ia ka kthyer Çanak.

Në fakt, si dëshmi për këtë e ka postuar edhe një foto të djalit të tij nga Graçanica, të realizuar para përmendores së Milosh Obiliqit, në qendër të kësaj komune të Kosovës.

Çanak, që njihet si njëri nga politikanët e parë serbë që ka kundërshtuar regjimin dhe politikat e Sllobodan Millosheviqit, të paktën sipas disa fotografive dhe cicërima në Twitter, ka qëndruar në Kosovë, ditëve të fundit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat