Shtatë anëtarët e harruar të Këshillit për Trashëgimi

Kultura

Shtatë anëtarët e harruar të Këshillit për Trashëgimi

Më: 23 maj 2014 Në ora: 09:47

Si organ ligjor ai funksionon drejt mbrojtjes së trashëgimisë kulturore , dhe si i tillë është krijuar nga Kuvendi i Kosovës, në bazë të nenit 4.8 të Ligjit për Trashëgimi Kulturore.
Këshilli i Kosovë për Trashëgimi Kulturore e zhvillon veprimtarinë e tij në përputhje me legjislacionin vendor dhe standardet ndërkombëtare për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore të UNESCO-së dhe Këshillit të Evropës.

Megjithatë, që prej gjysmës së vitit 2012-të ky Këshill nuk ka asnjë kompetencë, e pothuajse nuk pyetet për asgjë. Ai nuk i ka as shtatë anëtarët e tij, të cilëve u ka skaduar afati në korrik të 2012-tës.
Kuvendi i Kosovës, ky organ që edhe e ka themeluar KKTK-në, me arsyetim të zbrazëtirave ligjore në nenin 4.8 dhe mungesës së ligjit për KKTK ende nuk ka bërë emërimin e tyre, përkundër kërkesave sistematike të parashtruara nga deputetët dhe KKTK.

Drejtoresha ekzekutive e KKTK-së, Gjejlane Hoxha për KultPlus thotë se megjithatë ende nuk është bërë ky emërim dhe kjo po shkakton ngecje në mbarëvajtjen e kompetencave të këtij këshilli.

“Nominimi i shtatë anëtarëve të KKTK-së është bërë nga komisioni për ASHTKRS dhe Ministria e Kulturës, në vitin 2007. Kuvendi i Republikës së Kosovës, në seancën plenare të datës 30 tetor 2007 për anëtarë të KKTK-së emëroi Edi Shukriun, Zymer Nezirin, Fejaz Drançollin, Nimon Alimusën, Enis Kerven, Branisllav Grobicin dhe Tahir Emren” tregoi Hoxha lidhur me emërimin e atëhershëm të shtatë anëtarëve të KKTK-së.

Sipas Hoxhës, si rrjedhojë e mospërmbushjes së detyrave ligjore nga institucionet përgjegjëse dhe mungesë së shtatë anëtarëve të bordit të KKTK-së, trashëgimia kulturore e Kosovës vazhdon të mbetet pa status të përcaktuar të mbrojtjes ligjore dhe në mëshirë të zhvillimit të pakontrolluar bashkëkohor.

“Moszbatimi i Ligjit për Trashëgimi Kulturore, në mënyrë të drejtpërdrejtë ndikon në degradimin sistematik të trashëgimisë kulturore të vendit tonë, dhe i tillë theksohet si pengesë serioze në Raportet e Progresit të Këshillit të Evropës për Kosovën” tregon Hoxha, duke shtuar se ndër mangësitë themelore veçohen mospërmbushja e detyrimeve për vlerësim dhe shpallje të pronave të trashëgimisë kulturore në mbrojtje të përhershme të shtetit dhe realizimi i projekteve duke anashkaluar kriteret, procedurat dhe autoritetet e përcaktuara me ligj.

“Mungesa e paraqitjes së propozimeve nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sporteve pamundëson pranimin, shqyrtimin dhe shpalljen e pronave të trashëgimisë kulturore në mbrojtje të përhershme të shtetit, apo vlerësimin e projekteve nga KKTK, sipas kompetencave të parashtrua me ligj. Në mungesë të paraqitjes së propozimeve dhe projekteve për vlerësim, pronat e trashëgimisë kulturore të Republikës së Kosovës vazhdojnë të mbeten pa status të përcaktuar të mbrojtës ligjore. Potenciali i trashëgimisë kulturore nuk është përfshirë në Planin Hapësinor të Kosovës. Mijëra ndërtime tradicionale të dëmtuara nga forcat serbe gjatë luftës së fundit qëndrojnë të pariparuara dhe jashtë programeve për ndërhyrje shpëtimi” pohon Hoxha.

Problemet për trashëgiminë me mosfunksionimin e KKTK-së janë evidentuar edhe në Raportin e OSBE-së “Sfidat në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore të paluajtshme në Kosovës”, i publikuar në mars të këtij viti ku ndër të tjerash i bën thirrje Parlamenti të Kosovës që të krijojë kushte për një funksionim të plotë të KKTK-së dhe me numër të plotë të punonjësve, duke përfshirë përfaqësimin e komuniteteve joshqiptare në këtë organ. Sipas këtij raporti, KKTK-ja ka për detyrë të miratojë Listën e Trashëgimisë Kulturore, të identifikojë masat prioritare për përkrahje financiare për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore si dhe të shqyrtojë projekt-propozimet në lidhje me trashëgiminë kulturore. Në raport po ashtu ceket se KKTK-ja nuk ka qenë funksionale që prej themelimit të tij. “Kuvendi i Kosovës duhet të sigurojë që KTKK-ja të jetë plotësisht funksionale dhe me numër të plotë të punonjësve, duke përfshirë përfaqësimin e komuniteteve joshqiptare në këtë organ”, thuhet në raportin e OSBE-së.KultPlus

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat