Autoideografia letrare në një rrëfim për njeriun dhe misteret e jetës

Kultura

Autoideografia letrare në një rrëfim për njeriun dhe misteret e jetës

Nga: Enver Sulaj Më: 11 tetor 2026 Në ora: 18:01
Kopertina e librit

Libri „Mes shkencës dhe dritës“ i shkrimtarit Prend Ndoja, i cili jeton dhe vepron në SHBA, zhvillohet në dy linja të pashkëputshme, ku shpalosen idetë dhe teksti kalon në nivele interesante narrative. Ndjenja si pasion dhe ndriçimi shpirtëror, si mision i personazheve - Markut dhe Maries, e plotësojnë njëri-tjetrin dhe krijojnë imazhin e dashurisë së çiltër të njeriut që jeton mes dy botëve, ku origjina etnike mbetet pjesë identiteti dhe krenarie. Situatat e papritura, dramat personale dhe dashuria në nivele pothuajse puritane, ia mundësojnë lexuesit që tekstin ta perceptojë si një leksion moral si duhet të jetë njeriu dhe si duhet të jetë qasja ndaj origjinës. Në këtë roman autori kapërthen ndjenjën (dashurinë) me misionin (ruajtjen e traditës), duke i sforcuar veçantitë identitare të Markut dhe Maries, të cilët kanë emigruar në Amerikë dhe kanë ndërtuar profil të dalluar intelektual.

Maria është vajzë shkodrane që në „tokën e ëndrrave“ ka shkuar si fëmijë dhe ka bërë karrierë si gazetare e publiciste. Ndërkaq Marku është një i ri shqiptar nga Kosova, i cili pas studimeve, ka arritur të bëhet personalitet në fushën e shkencës (profesor universitar i astrofizikës) dhe të letërsisë. Dy botë të tilla intelektuale e ngrisin perceptimin e botës dhe të njeriut në nivele të larta të dijes, ku debati i tyre është i vazhdueshëm-qoftë si kërkim e hulumtim, por edhe si vetërrëfim, ku shfaqet edhe bota e tyre intime. Në kozmosin e tyre Marku dhe Maria e kanë të shenjtë atdheun dhe i rikthehen jo vetëm shpirtërisht, por edhe fizikisht, duke e kurorëzuar atje dashurinë e tyre me një dasmë sipas traditave dhe dokeve popullore shqiptare. Ky është vetëm një segment i jetës së dy të rinjve. Ata, përmes dashurisë përpiqen të zbulojnë misteret e jetës, gjërat që nuk arrin t’i kuptojë mendja e njeriut dhe të duket se përmes kërkimit ata plotësojnë një mision, pa qenë të vetëdijshëm për rrugëtimin dhe sfidat. Marku dhe Maria janë prototip i njeriut në kërkim, që s’ndalet kurrë, por e pasuron jetën me përvoja, ide e persiatje që më parë nuk i kishin menduar. Atëherë kur të duket se gjithçka ka marrë fund dhe njeriu e ka të vështirë të pranojë fatin; atëherë kur duket se jeta nuk ka kuptim dhe se fundi është i pashmangshëm, në horizont shfaqen shenja shprese e rifillimi të një hapërimi plot vullnet, me dritën si ndriçim, frymëzim dhe shpresë. Kjo kapërcen kufijtë e shkencës dhe të dijes së njeriut, në universin ku fundi nuk ekziston dhe forca e njeriut ka limitet e saj. Jeta rilind çdoherë përmes shpresës dhe dashurisë, që ndërron trajtat, por jo edhe thelbin-herë si mëshirë, herë si adhurim e ngazëllim drejt përjetësisë.

Për Marinë dhe Markun jeta kalon përmes një trajaktoreje të mistershme, ku dy personazhet janë pjesë e një mekanizmi të çuditshëm që përcakton vetëm fatin, të papriturat dhe vuajtjen si purgator drejt qetësisë shpirtërore të përjetshme.

Prapakthimi në të kaluarën e largët të origjinës, ia jep autorit mundësinë të shpalosë faqe të historisë kombëtare, që përballë lexuesit të huaj marrin dimension njohës e dëshmues, krahas atij ideo-estetik, për të cilat shquhet ky roman.

Romani „Mes shkencës dhe dritës“ shënon një moment pjekurie të lartë artistike të autorit Ndoja, i cili, sa herë shkruan në gjuhën shqipe, ka në mendje lexuesin anglishtfolës, të cilit dëshiron t’i rrëfejë copëza historie, kulture e etnike shqiptare. Ky roman mund të lexohet si autoideografi letrare, me stilin modern të rrëfimit, ku trupëzohen në tekst përshtypje udhëtimi, tekste, doke e zakone.

Shkrimtari Prend Ndoja deri më tani ka botuar librat: “Lot mbi oqean” - poezi (2018); “Përtej valës” - poezi (2020); “Udhës së mërgimtarit” - prozë, ese e publicistikë (2021) dhe “Velloja e kryqëzuar” - roman (2024). Romani „Mes shkencës dhe dritës“ është libri i tij i pestë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat