Kur publiku mbetet në terr!

Kultura

Kur publiku mbetet në terr!

Më: 29 dhjetor 2021 Në ora: 11:57
Ilustrim

Muaj më parë bota u paralajmërua se po hymë në një vit që do të karakterizohet, mbi të gjitha, nga një krizë e rëndë energjetike. Për dreq, Kosova do të jetë ndër shtetet e para që do të përballet me këtë krizë. I ftohti ia behu më herët dhe, për pasojë, për shkak të ngarkesave të papërballueshme energjetike, u shkaktuan avari të rënda në dy njësi të Kosova B. Vendi u fut në restrikcione: në çdo pesë orë ndërpriten dritat për dy orë!

KEDS-i nuk ka mundësi dhe nuk ka kuadër që ta përcjell gjithandej situatën momentale nëpër hapësira të caktuara. Për shembull, çka do të ndodhte që në mes të një operacionit kirurgjikal të ndalej rryma, ndërkohë që spitali nuk ka gjeneratorë për kyçje automatike të rrymës! Do të vdesë pacienti në mes të operacionit! Sa do të ishin të justifikueshme dhe të kuptueshme arsyetimet se pacienti vdiq, sepse na u ndal rryma, kurse spitali e kishte jashtë funksionit gjeneratorin? Mbi kë do të binte përgjegjësia? Mbi KEDS-in? Mbi atë që bën “subversione politike armiqësore”?

Hiq më pak e rëndë nuk është as një aktivitet kulturor që organizohet para një auditoriumi të respektuar! Teatri Kombëtar i Prishtinës ngeli në terr me sallën përplot publik i ardhur për ta përcjellë shfaqjen Lela&Co. Ndërpritet rryma në Teatër? Pasi njoftohet publiku se nuk punon as gjeneratori i cili ka dalë jashtë përdorimit tash e tre vite, publiku del jashtë.

Pse ky mosrespektim “kombëtar” ndaj punës së aktorëve! Aktori në skenë është i ngjashëm si pacienti mbi tavolinë të operacionit! T’i ndërpritet loja aktorit, është edhe më keq se t’i ngelë uji në fyt! Shfaqjet paralajmërohen javë më parë! Me këtë njoftohen edhe të Ministrisë për Kulturë! Natyrisht, KEDS-i nuk ka susta të veçanta që ta kursejë Teatrin, por dhe asnjë nga institucionet nacionale nga ndërprerja e rrymës. Në të tilla kushte, shtrohet pyetja, a duhet që të organizohet shfaqje pikërisht në kohën e ndërprerjes së rrymës? Çka do të thotë ky gjest mospërfillës? Pse kjo sjellje nonshalante karshi aktorëve dhe publikut! Teatri ka një gjenerator jashtë funksionit! Mbase, me këtë problem ka qenë e njoftuar edhe Ministria! As njëri e as tjetra nuk kanë marrë masa të nevojshme në kushte emergjente që mos t’ua zënë “frymën në fyt” aktorëve dhe mos të tallen me publikun?!

Shfaqja u ndërpre dhe, ngjashëm si pacienti që vdes në operacion për mungesë të rrymës, faji si top ping-pongu duhet të hidhet sa te njëri sa te tjetri! Ndoshta dikush qëllimisht po e bën që ta irritojë edhe shtresën intelektuale, dashamirët e artit, sikundër mbarë vegjëlinë, duke ia ndërprerë rrymën në situata “të pavolitshme”! Nuk përjashtohet as kjo! Në botë, të ndodhë që kot e kot t’i ndërpriten dritat një shfaqje teatrale, do të bëhej nami. Do t’i shkonte “koka” drejtorëve, por dhe ministrave! Në kushte krizash nuk ka tallje, sepse pasojat mund të jenë shumë të rënda, fatale! Në Kosovë ka kohë që profesioni aktor ka degjeneruar deri në nivel të “palaços” me të cilin mund të tallet kush të dojë sa të dojë! Boll keq! /HEJZA/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat