Po qaj

Kultura

Po qaj

Më: 1 janar 2021 Në ora: 09:44
Gabriela Mistral

Poezi nga: Gabriela Mistral
Përktheu: Bajram Karabolli

Më ke thënë që më do, dhe po qaj. Më ke thënë se do të kaloj me ty, në krahët e tu, nëpër luginat e botës.
Pa pritur, më ke ngulur thikën e gëzimit. Si munde të ma jepje pika-pika, si ujin të sëmurit, dhe unë e piva si rrëke!

E rrëzuar përtokë, do të qaj derisa shpirti ta kuptojë. E kanë kuptuar ndjenjat e mia, fytyra ime, zemra ime; shpirti im vazhdon të ndjejë përherë.

Pasditen hyjnore, e vdekur, duke u lëkundur, duke u mbështetur në pemët e rrugës, do të kthehem në shtëpinë time… Është rruga që bëra këtë mëngjes, dhe nuk do ta kujtoj dot. E habitur, do të shikoj qiellin, luginën, çatitë e fshatit, dhe do t’i pyes për emrin e tyre, sepse kam harruar gjithçka në jetë.

Nesër do të ulem në shtrat dhe do të kërkoj të më thërrasin, sepse dua të dëgjoj emrin tim dhe të besoj se kush jam. Dhe pastaj do t’ia jap qarit, me lotët çurg. Më ke goditur me thikën e lumturisë!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat