Nëse

Kultura

Nëse

Nga: Dibran Demaku Më: 20 dhjetor 2020 Në ora: 21:13
Dibran Demaku

Nëse
 

nëse tunden lisat
do t'na nxihen plisat

nëse tremben trimat
minjtë dalin nga vrimat

nëse ikën kujtesa
do t'na lërë dhe besa

nëse kënga digjet
do t'na kallen dhe brigjet

nëse vdes burrëria
do t'lëngojë liria...


Edhe


edhe kur nuk ishit
edhe kur nuk ishim
në mendje na kishit
në mendje ju kishim

edhe kur nuk vinim
edhe kur nuk vinit
një gotë për ju e pinim
një gotë për ne e pinit

edhe kur s‘dëgjonim
edhe kur s‘dëgjonit
një këngë e këndonim
një këngë e këndonit

edhe...


Mos u gëzo o i gëzuar mos u hidhëro o i hidhëruar *


herë më ndeshe herë të ndesha
herë qava e herë qesha

herë të ndesha e herë më ndeshe
herë qave e herë qeshe

herë më prite e herë të prita
një minutë zgjati dita

herë të prita e herë më prite
ëndrra këputej në teh drite

botë e madhe rrypa-rrypa
herë më hype e herë të hypa

herë më hype e herë të hypa
veç një lekë bënte kripa...

mos u gëzo o i gëzuar
mos u hidhëro o i hidhëruar...

*popullore

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat