Vdiq Fadil Ferati, nënkryetar i LDK-së

Kosova

Vdiq Fadil Ferati, nënkryetar i LDK-së

Më: 30 janar 2010 Në ora: 12:36

Pas një sëmundje të gjatë dhe të rëndë, sot, në orët e hershme të mëngjesit, në një spital në Gjermani, në moshën 50-vjeçare, ndërroi jetë nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe kryetari i rizgjedhur i komunës së Istogut në zgjedhjet lokale të 15 nëntorit,

Fadil Ferati.

Me këtë rast, kryesia e LDK-së i ka shprehur ngushëllime familjes Ferati, qytetarëve të Istogut dhe gjithë Kosovës për ndarjen nga jeta të Feratit.

Të gjitha detajet rreth organizimit të ceremonisë së varrimit të nënkryetarit të LDK-së, Fadil Ferati, do të bëhen publike shumë shpejt, thuhet në një njoftim të Zyrës së informacionit të LDK-së.

Sejdiu: Virtytet e Feratit do të kujtohen përherë

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, i ka dërguar një telegram ngushëllimi familjes Ferati, e cila humbi më të dashurin e saj, Fadil Ferati, kryetar i Komunës së Burimit dhe nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

“Fadil Ferati ka dhënë kontribut të veçantë për ndërtimin dhe forcimin e institucioneve të Republikës së Kosovës. Ai ka qenë kryetar i Komunës së Istogut në mandatin e kaluar. Qytetarët e kësaj komune, në zgjedhjet e fundit të nivelit lokal, të parat pas pavarësisë së vendit tonë, me votën e lirë i dhanë sërish Fadilit besimin që t’iu prijë edhe në katër vjetët e ardhshme. Fitorja e tij në këto zgjedhje ridëshmoi se ai kishte arritur paktin e mirëbesimit me qytetarët e kësaj komune”, thuhet në telegram.

Duke shprehur bindjen se virtytet e tij do të kujtohen përherë nga qytetarët e Kosovës, presidenti Sejdiu ka thënë se Fadil Ferati ka qenë një njeri i dashur për të gjithë dhe e ka pasur vite me radhë përkrah në punë, ndaj lajmin e hidhur për ndarjen e tij nga jeta e përjeton me pikëllim të thellë.

Ferati ka vdekur sot në moshën 50-vjeçare pas një sëmundje të rëndë.

Biografi e të ndjerit Ferati

I ndjeri Fadil Ferati u lind më 10 Maj 1960 në Istog. Shkollën fillore e ka kryer në Gurrakoc, komuna e Istogut, të mesmen në Istog, ndërsa Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës, ku ka diplomuar në vitin 1985. Qe nga themelimi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, si dhe me formimin e strukturave të saj edhe nëpër komuna, që në fillim të vitit 1990 me themelimin e Aktivit të LDK-së në Gurrakoc, Ferati është zgjedhur anëtar i Kryesisë së Aktivit deri në vitin 1992. Më pastaj në Kuvendin e Dytë të LDK-së, në vitin 1992, është zgjedhur kryetar i Aktivit të LDK-së në Gurrakoc dhe anëtar i Kryesisë së Degës së LDK-së në nivel të komunës. Në Kuvendin e dytë të rregullt është zgjedhur kryetar i Kryesisë së Këshillit Komunal të Financimit dhe këtë funksion e ka ushtruar që nga viti 1995 deri pas luftës, kur ka pushuar funksionimi i këtij këshilli. Në Kuvendin e tretë të LDK-së, të mbajtur në shtator të vitit 1997 është zgjedhur kryetar iKryesisë së LDK-së në Komunën e Istogut, kurse në Kuvendin e katërt të LDK¬-së sërish është zgjedhur Kryetar i Kryesisë së LDK-së në Komunën e Istogut dhe anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së. Pas fitores së LDK-së në zgjedhje e viti 2000, në mbledhjen e parë konstituive, nga delegatët e Kuvendit Komunal në Istog me shumicë votash është zgjedhur kryetar i Kuvendit për Komunën e Istogut dhe po ashtu në zgjedhjet lokale të vitit 2002, të mbajtura më 26 tetor, sërish është zgjedhur Kryetar i Kuvendit Komunal për Komunën e Istogut. Gjithashtu, ne zgjedhjet e vitit 2007, me votën e drejtpërdrejtë të qytetarit, është zgjedhur kryetar i Komunës së Istogut. Në zgjedhjet e fundit lokale, të vitit 2009, është rizgjedhur kryetar i Komunës së Istogut. Ferati në vitin 2006 është zgjedhur nënkryetar i LDK-së. Familja Ferati jeton në Gurrakoc, komuna e Istogut. Fadili ka qenë i martuar, baba i tre fëmijëve. Biografi e të ndjerit Ferati

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat