Lluka: Në prill zgjidhet çështja e shpronësimit të tokave

Gjakova

Lluka: Në prill zgjidhet çështja e shpronësimit të tokave

Më: 21 mars 2018 Në ora: 15:50
Valdrin Lluka dhe Ardian Gjini

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ka vizituar Komunën e Gjakovës, ku bashkë me kryetarin e kësaj komune, Ardian Gjini, kanë biseduar për koordinimin e aktiviteteve në mes të ministrisë, Qeverisë dhe Komunës në çështjen e Aeroportit të Gjakovës, me ç’rast edhe kanë ndarë përgjegjësitë.

Lluka tha se kanë rënë dakord të marrin disa hapa përmes të cilëve synojnë të funksionalizojnë aeroportin, derisa theksoi se punët e tyre si Ministri e Zhvillimit Ekonomik do t’i përfundojnë qysh në muajin prill të këtij viti. E shpronësimi sipas Llukës është detyra e parë sa i përket aktivizimit të aeroportit.

Lluka: Ne si MZHE do ta kryejmë punën qysh në muajin prill

“Fokusi kryesor ishte Aeroporti i Gjakovës, sepse jemi në një periudhë kur duhet ta aktivizojmë. Është një aset jashtëzakonisht i madh që ta lëmë të shkatërrohet siç ka ndodhur deri më tash. U koordinuam që ne të marrim përsipër shpronësimin, sepse është një pjesë e tokave që duhet të shpronësohen, janë toka private rreth 45 hektarë nga 150 sa janë gjithsej. Dhe tash i morëm detyrat secili. Do të jetë detyra e parë shpronësimi. Nuk dua të jap datë, sepse varet edhe nga institucionet e tjera, se si dhe kur e kryejnë punën. Por unë besoj se punën si MZHE do ta kryejmë menjëherë në muajin prill”, tha ai.

Sipas tij, Aeroporti i Gjakovës do të shërbejë për biznese, individë dhe aeroplanë komercialë.

Lluka: Aeroportin e Gjakovës ne po mundohemi ta aktivizojmë si pjesë të Aeroportit të Prishtinës

“Aeroportin e Gjakovës ne po mundohemi ta aktivizojmë si pjesë të Aeroportit të Prishtinës. Është një pjesë që mund të them se jemi duke shikuar të gjitha format ligjore. Sipas marrëveshjes që është nënshkruar me operatorin e Prishtinës nuk lejohet një aeroport dytësor në Kosovë, mirëpo nëse ne bashkëpunojmë me të, ata kanë interesim ta marrin përsipër dhe ta aktivizojnë Aeroportin e Gjakovës, duke gjeneruar një punësim të konsiderueshëm 60-100 veta fillimisht”, theksoi ai.

Ndërsa kryetari i komunës së Gjakovës, Ardian Gjini tha se është kënaqësi të ketë koordinim mes institucioneve në drejtim të zhvillimit ekomomik të Gjakovës, duke përfshirë edhe funksionalizimin e Aeroportit të Gjakovës dhe zonën industriale.

Gjini: Biseduam për sferat ku ne si komunë mund të bashkëpunojmë me MZHE

“Sot pata kënaqësinë ta pres në takim ministrin Lluka, ministrin e Zhvillimit Ekonomik, me të cilin biseduam për disa tema që kanë të bëjnë me zhvillimin ekonomik në Gjakovë, për projekte të ndryshme të cilat mund të vijnë për nevojat që i kemi dhe për bashkëpunimin me Ministrinë në si komunë e Gjakovës. Jemi ndalë edhe tek disa çështje tepër jetike, strategjike. Kemi provuar të bëjmë koordinim për këto projekte e një ndër to është edhe aeroporti dhe zona industriale”, tha ai.

Sipas tij, në Gjakovë ka punë dhe potencial për zhvillim, dhe për këtë theksoi se si komunë do të kenë bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat