Osmani: Salzburgu është një kundërshtar i fortë, por nuk do të dorëzohemi

Futboll

Osmani: Salzburgu është një kundërshtar i fortë, por nuk do të dorëzohemi

Më: 8 gusht 2018 Në ora: 00:09
Qatip Osmani

Gjysmë ore para seancës stërvitore në stadiumin Red Bull Arena, të martën Shkëndija ka mbajtur konferencën e zakonshme për shtyp, në të cilën është folur për pritjet nga ndeshja kundër Red Bull Salzburg.

Kampioni i Maqedonisë të mërkurën mbrëma zhvillon ndeshjen e parë në kuadër të rrethit të tretë kualifikues të Ligës së Kampionëve.

Trajneri Qatip Osmani ka thënë se skuadra është e vetëdijshme për cilësinë e kundërshtarit dhe do të përpiqet të bëjë më të mirën.

“Jemi të lumtur që jemi këtu për t’u përballur me një skuadër të madhe si Red Bull Salzburgu. Bëhet fjalë për oponent të fortë, skuadër shumë cilësore që sigurisht do të na vërë para një detyre të vështirë”.

“I kemi analizuar mirë dhe jemi të vetëdijshëm për atë që na pret. Por, kjo nuk do të thotë se do të dorëzohemi para kohe”.

“Përkundrazi, jemi këtu për të provuar të bëjmë më të mirën nga vetja, të luajmë kompakt si skuadër me një disiplinë të theksuar në zbatimin e detyrave taktike, të amortizojmë sulmet e kundërshtarit dhe natyrisht të shfrytëzojmë çdo mundësi që do të na jepet para portës kundërshtare”, deklaroi Osmani.

Ndeshja kthyese zhvillohet pas një jave (14 gusht) në stadiumin Filipi II në Shkup, prandaj Shkëndija duhet të marrë një rezultat sa më të mirë në takimin si mysafir.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat